Rafuna: Bizneset në gjendje të vështirë, ngecën investimet kapitale

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar qeverinë për mungesën e masave efektive që mbështesin bizneset, duke theksuar se politika fiskale nuk ka ndryshuar që nga pandemia.

Ai ka kërkuar që të miratohen lehtësira dhe ndryshime në TVSh, si dhe reformë të thelluar të politikave fiskale – për të krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.

Rafuna është shprehur i shqetësuar për gjendjen e vështirë të bizneseve në Kosovë, duke theksuar se investimet kapitale, që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik, nuk janë realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.

“Nuk është se ka pas ndonjë përkrahje për bizneset. Në qoftë se shohim në kuptimin e politikave fiskale, që rreth 4 apo 5 vite prej pandemisë, që nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë freskim i politikave fiskale, përkundër që ka qenë kërkesa jonë që të ketë ende më shumë lirime, shkallëzim të TVSh-së, të ketë një reformim serish të TVSh-së, nuk kemi pas një transparencë, dialog sa i përket sjelljes së ligjeve…Ka mbizotëruar një pasiguri totale juridike sa i përket biznesit”, ka deklaruar Rafuna, shkruan KP.

Rafuna vlerëson se ngecjet më të mëdha kanë qenë te pjesa e investimeve kapitale të cilat sipas tij nuk janë realizuar.

“Ngecjet më të mëdha që kemi vërejtur dhe që kemi parë kanë qenë sidomos tek pjesa e investimeve kapitale, ajo pjesë ku neve si biznes na intereson shumë dhe të cilat janë një infuzion shumë i madh për ekonominë e vendit tonë. Asnjëherë gjatë këtyre katër viteve nuk është realizuar ajo shumë e cila ka qenë e paraparë me ligjin e buxhetit”, ka nënvizuar Rafuna.

Ai thekson se diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në investime, por sipas tij, në sektorin e paluajtshmerisë.

Rafuna konsideron që këto investime duhet të kthehen në projekte konkrete zhvillimore që do të kishin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës.

“Te investimet e huaja duhet t’i falënderohemi diasporës të cilët kanë bërë investime. Ato të cilat kanë dominuar kanë ardhur në paluajtshmëri që sërish është pyetje e madhe se a duhen gjitha ato të konsiderohen investime apo jo? Sidomos tek ato paluajtshmëri për të cilat nuk merret një e mirë materiale”, ka thënë Rafuna.

Ai flet edhe për masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dështimi nga sanksionet nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptim të imazhit të vendit.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit.

Këto sanksione kanë hyrë në fuqi më 28 qershor 2023, derisa përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.