Radev: Vetoja ndaj RMV-së të mbetet derisa të formohet koalicioni i ri qeveritar

Presidenti bullgar Rumen Radev kërkon që vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut në Bruksel të mbetet në fuqi të paktën deri në formimin e shumicës së re parlamentare në Sofje.

Ai për mediat bullgare deklaroi se kriza politike tashmë është një fakt i pamohueshëm në Bullgari dhe se vetoja duhet të mbetet, në pajtim me kornizën e miratuar nga këshilli i sigurisë kombëtare të Bullgarisë.

“Kriza politike është fakt. Por, për dallim nga krizat e mëhershme, kjo krizë po zhvillohet në kushte të inflacionit, krizës sociale, ekonomike dhe ushqimore e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Partitë e përfaqësuara në Kuvend duhet që sa më parë të gjejnë dalje nga situata, sepse na duhet qeverisje e përgjegjshme. Deri sa partitë të formojnë shumicë të re, Qeveria duhet të sigurojë pagesat sociale dhe përkrahje për bizneset. Vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut duhet të mbetet në pajtim me kornizën e miratuar nga këshilli i sigurisë kombëtare dhe duhet të sigurohet funksionalitet në shtet”.

Pikërisht çështja e Maqedonisë së Veriut u bë shkak për tronditje në skenën politike bullgare. Partia “Ka popull të tillë”, një nga 4 partitë e koalicionit qeverisës, bëri të ditur se do ta braktis qeverinë duke akuzuar kryeministrin se po bën negociata paralele për heqjen e vetos ndaj Shkupit. Edhe ministrja e jashtme bullgare nga e njëjta parti drejtoi të njëjtat akuza dhe paralajmëroi dorëheqjen e saj nga ky post. Pa deputetët e partisë “Ka popull të tillë”, Qeveria e kryeministrit Kiril Petkov nuk ka shumicë në Kuvend. Tashmë ka disa versione se si mund të zhvillohet situata politike në bullgari, që nga rikonfigurimi i shumicës parlamentare deri te zgjedhjet e reja parlamentare. Në këto kushte, duket e vështirë arritja e një kompromisi me Maqedoninë e Veriut para Samitit të ardhshëm të BE-së gjatë këtij muaji. /shenja