Ballina Kulturë Raba, gruaja nga Gaza që sfidon bllokadën izraelite me “lodrat artizanale” (Foto)

Raba, gruaja nga Gaza që sfidon bllokadën izraelite me “lodrat artizanale” (Foto)

Raba Ebu Hattab, përmes lodrave “artizanale” që prodhon, sfidon bllokadën izraelite

GAZA (AA) – NUR EBU IYŞE

Raba Ebu Hattab nga Gaza, përmes lodrave “artizanale” që prodhon vet me vite të tëra, sfidon bllokadën izraelite dhe në të njëjtën kohë siguron jetesën për familjen e saj.

Ebu Hattab, nëpunëse në Ministrinë e Bujqësisë në Gaza, duke folur për Anadolu Agency (AA), tha se teksa vazhdon studimet e doktoratës, në kohën e lirë prodhon lodra të cilat të cilat i bën duke thurur fije leshi.

Palestinezja Ebu Hattab tregon se këtë punë në fillim e ka bërë si hobi, ndërsa me rënien e numrit të prodhimeve dhe lodrave në dyqanet në Gaza si pasojë e bllokadës izraelite, ajo është shqetësuar dhe për këtë arsye ka vendosur që këtë punë ta avancojë.

Duke theksuar se prodhon lodra cilësore për fëmijët duke përdorur mjete të thjeshta, arritjen në këtë punë ajo e ndërlidh me kënaqësinë e klientëve.

Fotoreporter: Mustafa Hassona/AA

Ebu Hattab flet edhe për gëzimin e fëmijëve, duke theksuar se ndihet e gëzuar që është pjesë e tyre. Ajo tregon se një kohë ka bërë edhe karikatura.

Palestinezja e cila ka shndërruar në lodra karikaturat që dikur kishte vizatuar, shprehet se “Puna e lodrave të thurura kërkon sy artistik të cilët mund të imagjinojnë personazhe të reja të vizatuara që tërheqin vëmendjen e fëmijëve dhe që u japin ngjyrim atyre”.

“Fakti që nuk kam nevojë për energji elektrike ma lehtëson punën”

Ebu Hattab rrëfen se ngjyrat e fijeve me të cilat do të bëjë lodrat i zgjedh sipas grupmoshës së fëmijëve, duke shtuar se më së shumti parapëlqen ngjyrat e hapura, të gjalla dhe tërheqëse.

Për përfundimin e lodrave nevojiten tri deri në katër ditë, kurse, siç thotë ajo, fëmijët kanë interesim të madh në lodrat e saj, teksa edhe çmimi i lodrave është mjaft i përshtatshëm.

Ndërkaq, duke vënë theksin mbi problemet me energjinë elektrike si pasojë e bllokadës që Izraeli prej vitesh zbaton në Gaza, Ebu Hattab tha se “Nuk kam nevojë për energji elektrike dhe kjo gjë ma lehtëson punën”.

Ebu Hattab, e cila lodrat shumëngjyrëshe po ashtu i prezanton për shitje në llogarinë e saj në median sociale, tregon se ka marrë porosi të veçanta nga Gaza, por edhe nga shtete si Jordania dhe SHBA-të.Ëndrra e saj, siç thotë, është që në të ardhmen të hap një punishte për të zhvilluar punën e lodrave të thurura dhe në këtë mënyrë t’u ofrojë mundësi pune grave të Gazës.

Exit mobile version