Qyteti i lashtë Aizanoi që ndodhet në Turqinë perëndimore, po bën përpjekje të zë vendin e tij në thesaret e tjera historike të vendit, tashmë të vendosura në listën e UNESCO-s për Trashëgimi Botërore.
Qyteti i cili daton nga epoka romake, në vitin 2012, zuri vendin në listën e pritjes, dhe që atëherë bën përpjekje permanente të vendoset në shoqëri me lokalitetet e tjera historike të Turqisë që ndodhen në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
I vendosur në provincën perëndimore Kütahya, ky qytet i lashtë daton prej 3000 vjet para erës sonë, dhe si e tillë arrin të tërheqë rreth 60.000 turistë në vit.
“Qyteti ka një tempull të Zeusit, që është tempulli më i ruajtur në tërë Anadollin”, tha për Anadolu Agency (AA), Muammer Ozer, zyrtar i lartë lokal për turizëm.
Aizanoi, që është njëri nga qytetet më të rëndësishme të epokës romake, ka një koloseum me kapacitet prej 13.500 personash dhe një teatër në të cilin mund të vendosen 20.000 njerëz.
“Ky qytet i lashtë i cili lulëzimin e tij e ka arritur bashkë me qytetet tjera të lashta siç janë Efesi dhe Pergamoni afër krahinës Izmir në Egje, dhe Side në Antalia të Mesdheut, gjithashtu njihet edhe me emrin “Efesi i dytë”, shtoi Ozer.
Ai rrëfen se “Tempulli i Zeusit, i vendosur në një kodër, ishte shenjtërorja kryesore e qytetit.
Në ueb faqen e UNESCO-s, tek seksioni i listës së lokaliteteve në pritje, thuhet se tek tempulli i Zeusit ndodhet një zonë e mbuluar me kube, ndërkohë që për qytetin Aizanoi, thuhet se në të është krijuar njëri nga tregjet e para të këmbimit në botë.