Qytetarët me simptoma të COVID-19 ankohen se nuk po iu kryhet testi

Janë bërë 10 ditë qëkur Ramize Gashit kanë nisur t’i shfaqen simptoma të COVID-19, pas një kontakti me një person i cili ka rezultuar pozitiv me sëmundjen.

62-vjeçarja tregon se ka edhe sëmundje të tjera dhe për këtë edhe doktorët në QKMF në Lipjan i kanë rekomanduar që të testohet në QKUK, raporton KOHA.

Megjithatë, ajo nuk ka mundur që të testohet ende.

Në Klinikën Infektive, për ku edhe e kishte udhëzimin, nuk është marrë parasysh, e të njëjtit e kanë referuar për në IKSHPK.

Problem të tillë ka pasur edhe një banor nga Gadimja e Ulët e po të njëjtës komunë. Xhevdet Lekiqit, gardian në Shërbimin Korrektues në Lipjan, ka disa ditë që i janë shfaqur simptomat e virusit, por në QKUK nuk e kanë testuar.

Në Komunën e Lipjanit deri më tash 139 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

KTV-ja ka pyetur për këtë edhe Klinikën Infektive edhe Institutin e Shëndetit Publik rreth praktikës që ky institucion ndjek për t’i vendosur në listë personat që duhet testuar, por askush nuk është përgjigjur.

IKSHPK-ja ka kapacitet të limituar të testimeve brenda ditës, por që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë janë testuar mbi 30 mijë persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.