Përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it, duke i komentuar listat e subjekteve politike për zgjedhjet e 11 qershorit, kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se nëse partitë politike janë serioze në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, atëherë listat e kandidatëve të tyre duhet ta reflektojnë këtë
Shtetet anëtare të QUINT-it në Kosovë edhe njëherë me radhë u kanë dërguar mesazh partive politike dhe qytetarëve të Kosovës që të mos votohen personat e lidhur me krimin dhe të cilët janë njollosur me procese korruptive.
Duke mos dashur të përzihen në punët e brendshme të partive, ambasadat megjithatë kanë thënë se është përgjegjësi e votuesve të vendosin nëse dëshirojnë të përfaqësohen nga kandidatë të cilët janë të njollosur nga korrupsioni dhe kriminaliteti.
E sipas tyre, premtimet e partive për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë nuk kanë qenë serioze dhe kjo është dëshmuar edhe në përpilimin e listave të kandidatëve të tyre.
Pavarësisht kësaj, ato kanë thënë se do të ju duhet të bashkëpunojnë më këdo që qytetarët e Kosovës zgjedhin për udhëheqës të tyre, duke shpresuar se pas zgjedhjeve do të krijohet shpejt një qeveri e re, në mënyrë që puna rreth temave të rëndësishme për Kosovën të mund të vazhdohet menjëherë.