Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Quebec ofron vaksina kundër lisë së majmunëve

Quebec ofron vaksina kundër lisë së majmunëve

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar 911 raste me këtë sëmundje kryesisht në kontinentin europian

Zyrtarët shëndetësorë në Montreal të Quebec po ofrojnë vaksina kundër lisë së majmunëve për njerëzit që janë në rrezik të lartë për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Ata që marrin vaksinat përfshijnë njerëz që kanë qenë në kontakt me raste të konfirmuara në 14 ditët e fundit. Ky vendim vjen mes rritjes së infeksioneve në zonë. Një pjesë e madhe e banorëve janë shprehur se rritja e transmetueshmërisë i ka detyruar ata që të marrin vaksinën.

Që nga e premtja Agjencia e Shëndetit Publik të Kanadasë konfirmoi 77 raste të lisë së majmunëve me 71 në Quebec, pesë në Ontario dhe një në Alberta. Autoritetet shëndetësore janë shprehur se rastet pritet që të rriten edhe në shumë pjesë të tjera të vendit.

Rreth 30 vende ku lia e majmunëve nuk është endemike kanë raportuar shpërthime të sëmundjes virale, me më shumë se 911 raste të konfirmuara ose të dyshuara, kryesisht në Europë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shkencëtarët po përpiqen të zbulojnë arsyet e përhapjes.

Lia e majmunit, e cila përhapet përmes kontaktit të ngushtë dhe u gjet për herë të parë te majmunët, zakonisht shkakton simptoma të ngjashme me gripin dhe puçrra të mëdha në lëkurë që zakonisht largohen brenda javësh, por mund të vrasin një pjesë të vogël të të infektuarve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë lia e majmunëve është një infeksion i rrallë viral i ngjashëm me linë e njeriut, megjithëse më i lehtë, i regjistruar për herë të parë në Republikën Demokratike të Kongos në vitet 1970.

Kujtojmë se edhe Gjermania ka urdhëruar 40,000 doza të një vaksine bavareze për të qenë gati për të vaksinuar kontaktet e të infektuarve me linë e majmunëve nëse shpërthimi në vend bëhet më i rëndë. /klannews

Exit mobile version