Tradita e kuzhinës shqiptare ofron një larmishmëri recetash e gatimesh speciale, nga ato që tërheqin oreksin me shijen e tyre fantastike.
Një prej këtyre recetave, qoftet me krem kosi është ndër gatimet me shijen më të përkryer që lezetosin tryezën kur i përgatit e shërben.
Përgatitja e qofteve dhe recetat e pafundme në kombinimin e tyre me perime nga më të ndryshme a me mish të grirë, të përgatitura thjeshtë e të shoqëruara me salcë domatesh, arrash e të tjera përbërës janë një mënyrë ideale për të kënaqur gjithë familjen.
Përgatitja e Qofteve me Krem Kosi
Përbërësit
Për qoftet
- 400 gr mish i grirë
- 1 kokërr qepë
- 4-5 thelpinj hudhra
- Nenexhik
- Një lugë gjelle majdanoz
- Kripë
- Piper
- Vaj ulliri
- Një vezë
Për kremin
- 2 kokrra vezë
- 2 gota me kos
- 1 gotë me lëng mishi ose ujë
- 1 lugë gjelle me miell
- 1 lugë gjelle me gjalpë
- kripë
Përgatitja
Përgatitet masa e qofteve si zakonisht por në vend të bukës i hidhet pak miell, pastaj hidhen mishi i grirë, veza, qepa, hudhrat, majdanozi, kripa dhe piperi.
Pasi përpunohet brumi, priten disa copëza të vogla për çdo racion.
Secilës prej copëzave të qofteve t’u jepet një formë sferike e cila nuk duhet të jetë më shumë se një kokërr arrë.
Më pas të gjitha qoftet i kalojmë në miell dhe i skuqim në vaj të nxehtë.
Pasi janë skuqur të gjitha qoftet, në tigan hedhim miellim dhe e kaurdisim derisa të zverdhet.
Më pas shuhet me lëng mishi ose me ujë në mungesë të tij. E largojmë nga zjarri dhe shtojmë në të vezët e rrahura me kosin, u shtohet kripë dhe u hidhet qofteve sipër. Kalohet pak në zjarr derisa kremi të mpikset.
Spërkatet me gjalpë dhe pak hudhër të shtypur dhe shërbehet e ngrohtë e ndarë, në pjatanca dhe me pak majdanoz të grirë hollë sipër.