Në Qendrën Klinike Universitare është duke qëndruar doktori Diego Gonzalez Rivas, i cili po aplikon metodën më të re të operimeve me një portë, një ndërhyrje në kraharor te resekcionet pulmonare për sëmundjet kirurgjike të mushkërive.
Ai po viziton Kosovën, si pjesë e një turi disa ditorë në vendet e Ballkanit Perëndimorë, dhe në kuadër të programit të avancuar Uniportal Port, bashkë me ekipin mjekësor nga Klinika e Kirurgjisë Torokale, do të kryejnë sot tre operime.
Duke folur për metodën e operimit Wats Uniportal, Rivas ka theksuar se kjo ndërhyrje kirurgjike shoqërohet me pak dhimbje dhe pacienti kurohet shumë shpejt, transmeton Klan Kosova.
“Ne do të bëjmë një operim me një vrimë të vogël, meterokoskop, do të bëjmë një lob të poshtëm të majtë dhe një lob lart në të djathtë , i cili shkakton shumë pak gjakderdhje, shumë pak dhimbje dhe pacienti shumë shpejt shërohet e lirohet në shtëpi”, ka thënë doktori Rivas.
Aplikimi i kësaj metode ka për synim që ta ngritë standardin profesional të punës në klinikat e QKUK-së, respektivisht që kirurgët e Kirurgjisë Torokale të zotërojnë procedurat më moderne të trajtimit të sëmundjeve kirurgjike.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torokale, Saudin Maliqi, tha se ardhja e Diego Gonzalez Rivas në Kosovë është historike për Qendrën Klinike Universitare.
“Ardhja e tyre është moment historik për ne, është një ndodhi shumë e madhe. Ardhja e këtij ekipi është e aranzhuar dhe ne kemi aplikuar para një viti. Kemi bërë shumë përpjekje për ta sjell atë në Kosovë”, ka thënë drejtori Maliqi.