QKUK është pajisur me maska e rëntgen mobil kundër coronavirusit

Kosova për momentin nuk e ka as edhe një rast të dyshuar si të prekur me virusin corona. Kështu po deklarojnë doktorët e Klinikës Infektive të QKUK’së. Këta  të fundit në një deklaratë për Gazetën Express janë shprehur se deri më tani ende nuk kanë hasur në ndonjë rast të dyshimtë.

“Mund të ju konfirmojë se deri më tani në Klinikën Infektive të QKUK’së nuk e kemi pranuar as edhe një rast si të dyshimtë me prekje nga virusi corona”, ka deklaruar infektologu i QKUK’së, Valbon Krasniqi.

Ai ka shpjeguar se Infektiva e QKUK’së është pajisur edhe me maska të veçanta për mbrojtje nga virusi corona.

“Kemi marrë maska, shapka për një përdorim, rëntgen mobil”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ai është shprehur se situata me gripin sezonal në Kosovë është rënduar. Sipas tij për kurim me tipin ‘A’ të gripit sezonal janë 12 pacientë. Nga ta një në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Mund t’ju konfirmoj se deri më tani të shtrirë në klinikë me grip të konfirmuar sezonal janë 12 persona. Njëri nga ta në gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka deklaruar infektologu i QKUK’së.

 E megjithëkëtë, në muajin e fundit kanë qenë katër kosovarë të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e prekjes nga gripi sezonal, ndërsa 16 mijë kosovarë të tjerë të cilët janë të prekur.

Numri më i madh i rasteve me grip është raportuar nga Komuna e Prishtinës dhe Prizrenit. Megjithëkëtë ajo shton se gripi nuk ka kaluar pragun epidemik. Por megjithëkëtë, nga Instituti Kombëtarë vazhdimisht apelojnë tek Ministria e Shëndetësisë që ta rrisin vigjilencën kundrejt këtyre rasteve.

Ndërkaq, viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, çka atë kohë kishte ndikuar që në Kosovë të shpallej gjendje epidemike e gripit.