Qindra migrantë afrikanë besohet se janë mbytur në Detin Mesdhe më 23 mars, pasi një anije e shpëtimit ka gjetur pesë trupa të pajetë pranë dy varkave të fundosura në bregdetin e Libisë.
Agjencia për refugjatë e OKB-së thotë se është “thellësisht e alarmuar”, pasi anija Golfo Azzuro, që operohet nga një organizatë bamirëse, ka raportuar se ka gjetur trupa të pajetë pranë dy varkave pjesërisht të fundosura.
Zëdhënësja e Proactiva Open Arms, Laura Lanuza ka thënë se varkat e fundosura dukeshin si ato që përdoren nga trafikantët, që zakonisht mbartin nga 120-140 migrantë secila. Ajo ka thënë se trupat e gjetur ishin afrikanë nga mosha 16 deri 25-vjeç.
Rreth 6,000 njerëz janë gjetur nga anijet e shpëtimit, që koordinohen nga Italia, që prej fundjavës së kaluar, duke bërë që numri i migranëve që kanë arritur në Itali që prej fillimit të këtij viti të arrijë në 22,000.
Kjo shifër është më e lartë, krahasuar me vitet e kaluara. Organizata ndërkombëtare për migrantë ka thënë se deri më tani në Mesdhe kanë humbur jetën 559 migrantë. Më 2016, kjo shifër kishte arritur në rreth 5,000.