Qindra kolonë hebrenj kanë përdorur forcën të martën për të hyrë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, për të shënuar festën e tyre Sukkot, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i zyrës së institucionit Vakëfi Islamik nga Jordania, përgjegjëse për mbikëqyrjen e lokaliteteve islamike, Firas al-Dibs, tha se një total prej 537 kolonësh të mbështetur nga policia izraelite mëngjesin e sotëm kanë hyrë në kompleksin e xhamisë.
Sipas al-Dibs, grupet hebreje u kanë bërë thirrje pjesëtarëve të tyre të mblidhen në kompleksin Al-Aksa këtë javë, për të shënuar Sukkotin, që filloi të mërkurën dhe do të vazhdojë deri të dielën.
Izraeli okupoi Jerusalemin Lindor, në të cilin ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Në vitin 1980, ai aneksoi tërë qytetin, duke e cilësuar atë si kryeqytetin “e përjetshëm” të shtetit hebre, veprim ky që asnjëherë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.
Në Jerusalemin Lindor ndodhen më shumë se 200 mijë, kurse në Bregun Perëndimor më shumë se 400 mijë kolonë hebrenj. Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebreje në territorin palestinez vlerësohen si ilegale. /Mesazhi/