Qeverisja në xhungël

Ibrahim Xhepmetaj

Na ishte një herë si çdo herë në pyll, në xhungël në një sektor të saj, një luaneshë e re, një derr i butë, një arush përtac dhe një kalë laraman. Ato i kishte vendosur të punonin së bashku në sektorin e ndihmës së kafshëve të gjymtuara kastori i bregut të lumit, i cili qe emëruar nga ujku i murrmë. Detyra e tyre ishte shumë e rëndësishme dhe delikate. Duke qenë detyrë me përgjegjësi dhe sektor i ri, të gjithë duhet të angazhoheshin dhe përpiqeshin maksimalisht ta mësonin si fillim dhe ta bënin sa më mirë punën, që pylli të vazhdonte të jetonte në paqe. Luanesha ishte e përgjegjshme e zgjuar dhe trime, kali ishte fisnik, punëtor dhe i durueshëm, por arushi përtac siç kishte dhe emrin, as s’ja dinte e as s’ja donte ënda punës. Arushi dembel dukej krejtësisht i gatshëm në fjalë, por tepër i avashtë dhe neglizhent në veprime. Në thelb nuk ishte kafshë e keqe, por bëhej e tillë ngaqë nuk dinte, s’kishte vullnet për të mësuar dhe gabonte shpesh në punë. Sidoqoftë nuk ishte dhe aq kafshë e mirë, sepse jo rrallë shfaqej vetjak dhe tregonte mosmirënjohje ndaj bashkëpunëtorëve.

Sa i përket derrit të butë, dukej i butë nga jashtë, paqësor, por në thelb ishte derr, ishe idiot por jo budalla, kishte takat por i bënte bisht punës, ishte i apasionuar mbas shpërblimit dhe ushqimeve dhe nuk i interesonin shumë kafshët e dobta dhe të gjymta, për më tepër as bashkëpunëtorët, që përpiqej t’jua hidhte vazhdimisht barrën. Për më tepër e pëlqente shumë veten dhe pa kuptuar e hidhte veten në rrezik, por kur rreziku e kërcënonte fshihej dhe arratisej, sikurse arushi përtac, por ky nga babëzia dhe djallëzia, ndërsa arushi nga naiviteti dhe cektësia. Këta ishin armiq të punës, por edhe armiq të njëri-tjetrit, sepse kur u haste sharra në gozhdë me kalin dhe luaneshën haheshin me njëri-tjetrin.

Në fillim, kur j’ua caktuan detyrat dhe u përgatit stalla për pritjen e kafshëve hallemadhe, gjërat dukeshin në rregull, edhe kur puna filloi, secili qe njohur me detyrat e tij, dhe siç ndodh zakonisht kishte entuziazëm dhe haré, por atyre nuk u ishte caktuar mision i lehtë, duhej të merreshin me hallet e kafshëve më në nevojë. Arushi përtac duhej të merrte të dhënat dhe t’i ruante dëshmitë në gropa të ndara, pa i humbur në stallë, pastaj t’i lajmëronte kur të paraqiteshin për garë. Po ashtu kishte detyrë që ndaj gjithë kafshëve që paraqiteshin, çalamane prej vërteti apo shtiracake, t’i informonte ato mbi proçedurat, t’jua tregonte rrugën e t’jua mbante gjurmët e pretendimeve, ndërsa luanesha e re dhe derri i butë kishin për detyrë kur kafshët që kalonin fazën e përmbushjes së kritereve të paraqiteshin për vlerësim të gjykonin drejt për shkallën e nevojës dhe mbështetjes me ushqim dhe roje ndaj tyre, kurse kali të mbikqyrte mbarëvajtjen e gjithë punës.

Derri i butë ngaqë merrej dhe me punë të tjera, s’i interesonte shumë të merrej me kafshët sakate, madje, nëse ishte e mundur t’jua rripte lëkurën e t’jua kafshonte thundrat, sepse vdiste të hante mbi kurriz të kafshëve të tjera, sidomos atyre të pafuqishme. Por, fatmirësisht haste rezistencën e luaneshës dhe kalit, të cilët kishin forcë për të mbajtur drejtësinë në sektor dhe iu dhimbseshin kafshët e vobekta edhe përçiqeshin t’i përmbaheshin rregullave që kishte vendosur kastori i bregut dhe mbreti i xhunglës, për aq sa ata gjykonin se i shërbenin nevojave të kafshëve fatkeqe. Por vështirësitë dhe përplasjet me kafshët e gjymta ishin të shumëllojshme dhe sfiduese. Së pari, ngaqë jo të gjithë përgjegjësit e sektorit i përmbaheshin orarit të caktuar për të ndihmuar dhe sqaruar kafshët, pastaj sepse abuzonin nga toleranca dhe durimi i luaneshës dhe kalit, kështu stalla mbahej në këmbë se dy punonin e dy prej dyve rronin. Po ashtu prej të dy të emëruarve dëmtues, këtyre arushi ishte i trashë dhe gjumash dhe i ngadalë , kurse derri energjik, dinak dhe sikur brenda i rronte djalli.

Nuk zgjati shumë dhe filloi të kishte grindje, konflikt mes dy palëve, jo se kishin krijuar aleanca, porse secili filloi të nxirrte në pah cilësitë dhe të metat, e problemet që krijoheshin i mbetej të zgjidheshin me kusure prej luaneshës trime dhe kalit fisnik, të vetmit që i mvisheshin dhe e kishin merak punën që duhej bërë. Kali shpesh shprehte irritim, zemëratë dhe pakënaqësi, sikurse luanesha shprehte irritim, mllef dhe zhgënjim.

Ndërsa derri dhe arushi dukej sikur s’jua ndjente as për situatat e vështira që sektori përballej, as ngërçet që prej tyre krijoheshin, dhe as për kritikat, vërejtjet dhe kërcënimet që merrnin qoftë nga bashkëpunëtorët, kali apo kafshët e pafajshme. Në fakt puna shkoi në vazhdim e tillë, me tensione dhe përplasje, pa marrë zgjidhje, luanesha fryhej e tregonte dhëmbët, paralajmëronte veprime ndëshkuese, përderisa kali ankohej tek kastori i bregut, i cili duhej t’i tregonte ujkut të murrmë, që ishte mbreti i pyllit, që të ndërhynte për të marrë masa për derrin e butë dhe arushin e ngathtë.

Por, si duket këta e kishin shitur veten tek mbreti i pyllit dhe ai nuk informohej siç duhet për hilet dhe dëmet që i sillnin sektorit këta të dy, madje as për rrezikun që vetë mbreti i pyllit do të vihej nëse nuk merrte masa dhe për më tepër do ishte shkak që kafshët e gjymtuara të ngriheshin në protestë kundra tij dhe mbikqyrësve që kishte vendosur për mbarëvajtjen në pyll…

Situata në pyll mbetet e njëjtë, deri kur..?!

A është e njëjta gjendje edhe me sektorë të tjerë, kafshë të tjera?

Derra të butë e të egër, arushë përtacë e arinj kokëtharë ka plot nëpër pyll si këta në sektorin delikat të mbështetjes së kafshëve të gjymta..?!

Pylli është përplot me derra, dhelpra, ujqër të uritur, arinj kokëshkretë, dhe është gati të shpërthejë e t’i dalë flaka dhe askush nuk shqetësohet për këtë, madje as xhungla, përveç ndonjë luaneshe të vetmuar dhe kali kokëfortë, që përpiqen të vënë rend dhe shyqyr që janë, se mos të ishin ata kushedi çdo kishin bërë derrat, dhelprat, ujqërit dhe ushtarët e tyre idiotë. Më vjen keq për kafshët e dobta të pambrojtura se s’i ndihmoj dot të gjitha, sa duhet, sa për veten, as që e vras mendjen, unë tashmë kam lindur në xhungël, pylli është caku im, të jem luan, kalë, dhi është lëkura ime dhe i kam vënë vetes detyrë të mos e ndërroj lëkurën as të maskohem, por t’i ndihmoj kafshët të egra e të buta qofshin, sorkadhe apo dele, përderisa ata kanë nevojë dhe e pranojnë lëmoshën time.

Autor: Ibrahim Xhepmetaj