Qeveria ua lë në dorë komunave të vendosin se si do ta nisin vitin e ri shkollor

Me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka organizuar sot një takim virtual me kryetarët e Komunave të Kosovës dhe drejtorët e Departamenteve Komunale të Arsimit, ku është diskutuar për përgatitjet finale për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u përfaqësua nga Merita Koçinaj – Berisha, e cila njëherësh është edhe prorektore e Universitetit të Prishtinës.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të arsimit në vend që t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për ta filluar sa më mbarë vitin e ri akademik, duke i marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve të shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19.

Ndërsa, ministri Likaj theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës është në fazën përfundimtare të përgatitjeve. Ai paraqiti tre skenarët e kësaj ministrie për fillimin e vitit të ri shkollor, të cilët janë rikthimi në ambientet shkollore, mësimi i kombinuar, dhe mësimi nga platformat e ndryshme.

Në këtë takim, pjesëmarrësit u pajtuan që opsionet e MASH-it të shndërrohen sa më parë në vendime dhe si të tilla t’u dërgohen Departamenteve Komunale të Arsimit, të cilat, varësisht nga kapacitet që kanë, duhet të përcaktohen se cilin opsion do ta zbatojnë në komunën e tyre.

Sidoqoftë, mbizotëroi qëndrimi se, sidomos për klasat e ulëta, prioritet t’i jepet mundësisë së pjesëmarrjes fizike të nxënësve në procesin mësimor, nëse këtë e mundësojnë kushtet epidemiologjike.