Programi i qeverisë turke për pagën kundrejt gjysheve që kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre bëri një jehonë të madhe jo vetëm brenda Turqisë por edhe jashtë saj.
Sipas këtij programi që është në fazën e provës, në fillim do të përfitojnë 6 mijë gjyshe në qytetet më të mëdha të Turqisë.
Aplikimi për tërheqjen e pagës filloi në datën 9 shkurt 2017 por pati një fluks aq të madh saqë Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore u detyrua të ndërpriste aplikimet që arritën në 67 mijë vetëm brenda pak ditësh.
Ndër kriteret që duhet të plotësojë gjyshja janë:Gjyshja duhet të jetë nënshtetase turke.
Duhet të banojë në një nga qytet ku do të fillojë programi dhe gjithashtu duhet të banojë në të njëjtin qytet me nipin ose mbesën.
Fëmija duhet të jetë më i vogël se 3 vjeç.
Nëna e fëmijës duhet të jetë mbi 18 vjeç dhe e punësuar si dhe duhet të ketë mbaruar periudhën e lejes së paslindjes.
Qeveria turke me anë të këtij programi synon mirëqenien e grave që punojnë por edhe shpërblimin e gjysheve të cilat bëjnë një punë të palodhur për të rritur nipërit e mbesat e tyre të dashura.