Qeveria tregon hapat për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit

Zgjidhja e çështjes së Demarkacionit që është si kusht kryesor për liberalizimin e vizave, pritet t’i sjellë kokëçarje edhe qeverisë Haradinaj.
Vendimi i parë të cilin lideri i AAK-së e mori si kryeministër, ishte për ta shkarkuar Komisionin Shtetëror për Matjen e Territorit, me në krye Murat Mehën.Ai në krye të komisionit të ri e ka vendosur ish-deputetin e LDK-së, Shpejtim Bulliqin, shkruan lajmi.net

Por një version i ri i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi nuk po pranohet nga këta të fundit. Zyrtarët malazez kanë deklaruar se problemi i Demarkacionit është i mbyllur për ta, duke shtuar se kjo është çështje e brendshme e Kosovës.Por cilët hapa do t’i ndjekë qeveria Haradinaj për ta zgjidhur këtë çështje?Zëdhënësi i qeverisë, Arbër Vllahiu ka thënë për lajmi.net se fokusi kryesor i qeverisë aktualisht është në krijimin e komisionit të ri, duke shtuar se të gjitha veprimet do të jenë në përputhje me të gjeturat e këtij komisioni.

“Fokusi kryesor është në krijimin e komisionit të ri për demarkacion pas shkarkimit të komisionit shtetëror. Veprimet e mëtejme do të jenë në përputhje me gjetjet e komisionit dhe me kornizën ligjore”, ka thënë Vllahiu.Tutje, ai ka shtuar se të gjitha veprimet e qeverisë në lidhje me Demarkacionin do të bëhen në koordinim institucional.“Të gjitha veprimet do të bëhen në koordinim institucional”, deklaroi Vllahiu.
Por një version të ri të demarkacionit duket se nuk po e përkrahin as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ata ditë më parë deklaruan se mbështetje i japin versionit aktual të shenjëzimit të kufirit.Përkundër kësaj, kryeministri Haradinaj po insiston vendimet e tij po përkrahen edhe nga partnerët ndërkombëtar.

Ai ka theksuar se çdo vendim do të bëhet në partneritet me Malin e Zi, duke theksuar fqinjësinë e mirë këtë shtet.Çështja e Demarkacionit, ndryshe po cilësohet si sfidë e madhe edhe për këtë qeveri, pasi edhe në qeverisjen e Mustafës ishte një nga temat më të përfolura.