Qeveria reagon pas kritikave të opozitës për 100 ditëshin: Zhbllokuam Kosovën nga izolimi

Qeveria Hoti ka reaguar pas kritikave të partive opozitare, se 100 ditët e qeverisjes kanë qenë dështim. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë vlerësuar se Qeveria Hoti nuk ka arritur ta menaxhojë pandeminë COVID-19 dhe se nuk ka qenë e suksesshme në procesin e dialogut me Serbinë.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se vendimet që kanë marrë gjatë pandemisë COVID-19, kanë qenë në përputhje me IKSHPK-në.

“Çdo vendim që është marrë gjatë kohës së pandemisë është marrë në bashkëpunim dhe konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë dhe me QKUK-në, gjithmonë duke i përcjellë edhe protokollet e Organizatës Botërorë të Shëndetësisë. Qeveria Hoti u ka dalë në ndihmë qytetarëve, bizneseve të vogla dhe të mesme, për ta përballuar këtë situatë të vështirë të pandemisë COVID-19”, ka thënë ai.

Beqiri më tej ka thënë se Qeveria Hoti ka zhbllokuar Kosovën nga izolimi, që sipas tij e kishte futur Qeveria Kurti.

“Sa i përket marrëdhënieve me jashtë, ne kemi trashëguar një gjendje paradoksale, ku pothuajse nuk kemi pasur raporte as me Shqipërinë, një mbyllje totale e Kosovës. Dhe për më pak së tre muaj kemi arritur që ta rikthejmë Kosovën aty ku e ka vendin, në tryezat më të mëdha të botës duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë, Pallatin Presidencial në Paris dhe Brukselin. Pra, ne mund të themi që e kemi e kemi zhbllokuar Kosovën nga izolimi që e kishte futur qeveria paraprake”, është shprehur ai.

Këshilltari i kryeministrit theksoi në fund se kritikat e opozitës janë normale në një shoqëri demokratike.

Ndryshe, Qeveria Hoti ka shënuar 100 ditëshin e punës së saj, ndërsa kritika për këta muaj qeverisje ka pasur nga LVV dhe PDK, të cilët kanë përsëritur kërkesën e tyre për zgjedhje të reja.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një deklaratë të dhënë për Telegrafin kishte thënë se Qeveria Hoti është qeveri e pakicës.

“Ajo sot në Kuvend ka më pak se 60 deputetë, ka vetëm 40 deputetë shqiptar, dhe nuk e ka as 1/3 e mbështetjes qytetarë të shprehur me votë të lirë me 6 tetor. E njëjta, në përballje me krizën e shumëfishtë dështoi të adresonte nevojat e qytetarëve derisa ishte shumë efikase në aprovimin e kërkesave të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës. Këto 100 ditë shënojnë dallimin e qeverisjes së mirë legjitime që luftonte krimin e korrupsioni, menaxhonte mirë me pandeminë dhe e nisi ç’kapjen e shtetit nga shpërdorimi, me atë të një qeverisje të paligjshme që ia hoqi reciprocitetin Serbisë, dështoi plotësisht në menaxhimin e pandemisë, dhe rifilloi kapjen e ndërmarrjeve publike”, ishte deklaruar ai.

Po ashtu, nga PDK kanë pohuar se Qeveria Hoti është qeveri e cila nuk ka stabilitet politik.

“Kjo periudhë e qeverisjes 100 ditëshe të kryeministrit Hoti u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane. Po ashtu, kjo qeveri dështoi t’i dalë ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Kjo qeveri po e dëshmon se është ndër qeveritë me më pak përfaqësues në këto 20 vjet demokraci, qoftë edhe për shkak të jostabilitetit politik nga përplasjet dhe kërcënimet e vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit”.