Qeveria po vazhdon t’i prishë raportet me BE-në

Kohëve të fundit është parë një ashpërsim i gjuhës së komunikimit mes qeverisë “Haradinaj” dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Analistët politikë në vend kanë vlerësuar se marrëdhëniet mes dy palëve janë ftohur dhe se në këtë drejtim qeveria “Haradinaj” nuk është duke bërë asgjë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Po vazhdon edhe më tej komunikimi i ashpër mes qeverisë “Haradinaj” dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Vënia e taksës ndaj produkteve serbe po vazhdon të ngjallë edhe më tej debate mes të dyja palëve.

Së fundmi ndaj Bashkimit Evropian ka reaguar edhe koordinatori nacional për Reforma Shtetërore në qeverinë “Haradinaj”, Besnik Tahiri.

Derisa zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, tashmë disa herë i ka bërë thirrje Qeverisë që ta pezullojë taksën ndaj produkteve serbe, Tahiri ka thënë se kjo e fundit më shumë ka funksionuar si zëdhënëse e Zyrës për Kosovën e Marko Gjuriqit sesa e vendeve anëtare të BE-së.

“Gjatë tërë mandatit të saj Maja Kocijançiç më shumë ka funksionuar si zëdhënëse e Zyrës për Kosovën e Marko Gjuriqit sesa e vendeve anëtare të BE-së. Qëndrimet e saj që sot u paraqitën në medie janë vetëm vazhdimësi e qëndrimeve të mëparshme. Kushtëzimi i dialogut nga ana e saj nënkupton bllokim permanent të dialogut. Kosova është për dialog të pakushtëzuar. Nëse doni ne kemi plot”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”.

Për ashpërsimin e gjuhës së komunikimit ndaj BE-së tashmë është vlerësuar se qeveria “Haradinaj” nuk po merr asnjë veprim.