Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), njoftoi të mërkurën se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri i cili rregullon çmimet e naftës, e në këtë mënyrë mbronë konsumatorët e konkurrencën sipas ligjit.
Sipas ministrisë, ligji i ri parasheh që Qeveria të nxjerrë akt nënligjor për rregullimin e çmimeve të naftës dhe masa të tjera mbrojtëse.
“MINT ka përgatitur tashmë draftin dhe po zhvillon konsultimet në mënyrë intensive me hisedarë, në mënyrë që sa më parë ta procedojë për miratim në qeveri. Vendimmarrja pritet të ndodhë shpejt”, thuhet në komunikatën për media.
Në ndërkohë, MINT-i thotë se është duke vazhduar monitorimin e tregut.
Çmimi i naftës në Kosovë po vazhdon të rritet nga dita në ditë. Sot një litër naftë në shumë prej pompave të derivateve po kushton 1.82 euro.
Përveç naftës, është shtrenjtuar edhe çmimi i benzinës, i cili sot ka arritur në 1.84 euro.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani dje ka deklaruar për Telegrafin se këto çmime janë të larta për gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Rritja e çmimit të naftës nisi që nga pushtimi rus i Ukrainës, pas të cilit zhvillim Perëndimi ndërmori sanksione ndaj Rusisë, një prej furnizuesve më të mëdhenj të Evropës me naftë.