Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për situatën me pandeminë COVID-19.
Kryeministri Hoti ka deklaruar se në fund të kësaj jave do të bëhet një rivlerësim i përgjithshëm i masave si dhe do të shikohet nëse do të rishikohet ndonjëra nga masat e ndërmarra në luftimin e kësaj pandemie.
“Në fund të javës do të ulemi të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të masave dhe eventualisht nëse duhet të rishikojmë ndonjërën prej masave. Qytetarët gjatë kësaj periudhe të kenë kujdes maksimal”, u shpreh Hoti për Telegrafin.
Hoti theksoi se masat që janë ndërmarrë në javët e fundit kanë pasur efektin e tyre.
“Masat që i kemi marrë para tri javëve kanë prodhuar efekt në kuptimin e ndaljes së rritjes eksponenciale të numrave. Është stabilizua numri i rasteve të reja dhe këtë strategji janë duke e ndjekur të gjitha vendet. Kjo pandemi nuk mund të eliminohet deri sa të kemi vaksinën. Kemi stabilizuar këtë rritje dhe pres që javën e ardhshme do të bie numri dhe do të ulemi të bëjmë një rivlerësim të masave”, theksoi Hoti.
Kryeministri theksoi se kjo është një situatë ku koston jemi duke e bartur të gjithë pa asnjë përjashtim.