Qeveria e Kosovës do të dorëzojë nesër në Gjykatën kushtetuese, kërkesën për masë të përkohshme ndaj likuidimit të Trepçës nga ana e AKP-së.
Kjo pasi Ligji për Trepçën i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës nuk mund të hyjë në fuqi, derisa ndaj tij, Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, bazuar në ligj, vetëm deri me 2 nëntor ka afat që Ligji për Trepçën të hyjë në fuqi, në të kundërtën, ajo duhet të shkojë në likuidim.
Por nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës është aktivizuar dhe nesër do t’i dorëzojë Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë përkohësisht deri në marrjen e një vendimi, mundësinë për likuidim të Trepçës.
Avokati Besnik Berisha, që është edhe këshilltar ligjor i kryeministrit, deklaroi për RTK-në se puna në hartimin e ankesës ka filluar dhe beson se nesër do të dorëzohet në Kushtetuese.
Sipas tij, janë të gjitha kushtet që Gjykata të pezullojë likuidimin e Trepçës deri në marrjen e një vendimi ndaj ankesës së Listës Serbe, transmeton lajmi.net.
Nga ana tjetër, vetë Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se vendimi do të merret sipas
ligjit, Kushtetutës dhe rregullores së punës.