Qeveria në Ga’za paralajmëron pa’lestinezët kundër “thirrjeve të dyshimta për kthimin e tyre në veri”

Qeveria në Gaza paralajmëroi për deklaratat në mediat sociale që i referohen ushtrisë izraelite dhe të cilat u bëjnë thirrje palestinezëve që të “kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe zonat veriore”, transmeton Anadolu.

Zyra për media e qeverisë në Gaza publikoi një deklaratë në lidhje me thashethemet për kthimin e palestinezëve në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore.

“Ne paralajmërojmë popullin tonë palestinez për deklaratat e dyshimta për të cilat thuhet se bëjnë thirrje për kthim në shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës nga postblloku ushtarak që Izraeli ka ngritur mbi rrugën Rashid”, thuhet në deklaratë.

Deklarata u bën thirrje palestinezëve në Gaza që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj deklaratave “të dyshimta dhe jo të besueshme” dhe theksohet se në situata të tilla duhet të merren masat maksimale paraprake.

Më tej rikujtohet se ushtria izraelite më parë ka vrarë shumë njerëz duke shënjestruar palestinezët që përpiqeshin të ktheheshin në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore.

Në median sociale mbrëmë u postuan audio-regjistrime në të cilat ushtria izraelite u bën thirrje palestinezëve të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore.

Ushtria izraelite shumë herë më parë ka shënjestruar palestinezët që prisnin ndihmë humanitare dhe rajonet për të cilat kishte pretenduar se janë “të sigurta” në Gaza, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e shumë njerëzve.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 37.658 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa janë plagosur 86.237 persona të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.