Qeveria miraton projektligjin për marrëveshjen me MCC-në

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit elektronike, ka miratuar ratifikimin e marrëveshjes me Sfidat e Mijëvjeçarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për programin e energjisë.

Po ashtu Qeveria e ka votuar një ndryshim në vendimin e para një viti për aprovimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kësaj pakoje, Qeveria në një mbledhje elekronike të mërkurën ia ka shtuar edhe masën “Qeveria për familjes”, për të cilën do të ndahen 10 milionë euro.

“Ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Qeveria ka vendosur që t’i ndihmojë me 70% të pagës bruto (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj, bizneset që marrin punëtorë, e këta të fundit duhet të mos e kenë asnjë familjar tjetër të punësuar.

Po ashtu, sot (e mërkurë) përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të MCC-së pritet të nënshkruajnë këtë javë në Washington marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që përqendrohet në projekte të energjisë.

Nënshkrimi do të bëhet në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, ku nga Kosova do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.