Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar Planin e Punës për vitin 2020 dhe Planin Indikativ për vitet 2021-2022.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke shpalosur këtë plan, tha se fokus mbetet rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19.
“Plani i Punës përmban 11 prioritete, 58 objektiva dhe 438 aktivitete. Ky plan është një mundësi e mirë që të reflektoj gjithë punën tonë dhe që të veprojë me kompetencë dhe përgjegjësi më arritjen e objektivave të përcaktuara me këtë plan. Prioriteti për menaxhimin e pandemisë me pas rimëkëmbja ekonomik, plani zhvillimor ekonomik, shëndetësia, bujqësia, minierat, mbrojtja sociale, sporti e të tjera në përputhje me Kuvendin. Është plan ambicioz i punës të ligjet, por kërkoj angazhim maksimal nga ana e juaj”, tha ai.
Po ashtu, qeveria ka vendosur që prej datës 22 të këtij muaji të hapen për qarkullim edhe katër pika kufitare.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kjo po bëhet për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që po e kalojnë kufirin tani pas pandemisë.
“Kërkesa e MSH është që të plotësohet dhe ndryshohet pika 5 e vendimit të qeverisë të datës 31 maj 2020, ku u hapën pikat kufitare Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë. Është parë e domosdoshme që shkaku i fluksit të qytetarëve të hapën edhe pikat kufitare Qafë Prush, Qafë Morinë, Muqibabë dhe Mutivodë. MSH në bashkëpunim me MPB do të analizojë situatën që gradualisht të hapë edhe pikat tjerat kufitare”, ka thënë Zemaj.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është votuar edhe plotësimi dhe ndryshimi i rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive.
Gjithashtu sot, ndër të tjera u votua propozimi për t’i kërkuar presidentit autorizimin për nënshkrim të marrëveshjes së kredisë mes Kosovës dhe Bankës Botërore, përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim, për financimin e “projektit emergjent COVID-19 për Kosovë”.