Qeveria: Mbesin në fuqi masat e njëjta, përveç heqjes së orës policore dhe kthimit të mësimit në fakultete

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka sqaruar se vendimi për masat anti-COVID që është marrë sot është bërë në bazë të propozimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në situatën aktuale epidemiologjike.

Në këtë sqarim thuhet se parimisht mbesin në fuqi të gjitha masat e tjera, përveç se është hequr ora policore në komunat që janë në “zonë të kuqe”.

“Ndërlidhur me interpretimet e ndryshme rreth masave të fundit anti covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë sqaron se vendimet e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë marrë sipas propozimeve të MSh-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë. Parimisht, mbesin në fuqi pothuajse masat e njëjta përveç heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në sqarimin e Qeverisë.

Kurse sa i përket reagimeve për Bordin Këshillëdhënës, në sqarim thuhet se ata i përgjigjen Ministrit të Shëndetësisë.

“Sa i përket Bordit këshillëdhënës për Covid-19, sipas mandatit që ka, ky bord është trup këshillëdhënës që i përgjigjet Ministrit të Shëndetësisë dhe jep këshilla sipas kërkesave të ministrit për çështje të lidhura me COVID-19”, thuhet tutje në sqarim.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Sqarimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ndërlidhur me interpretimet e ndryshme rreth masave të fundit anti covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë informon publikun se vendimet e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë marrë sipas propozimeve të MSh-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë.

Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shkalla e morbiditetit (sëmundshmërisë) nga infeksioni COVID-19 është 120/100.000 banorë, kurse shkalla e pozitivitetit të mostrave të testuara është 13.1%.

Kjo është arsyeja pse janë ndërmarra disa masa për t’i dhënë më shumë hapësirë veprimtarive të rëndësishme jetësore.

Në bazë të vendimeve të sotme, parimisht, mbesin në fuqi pothuajse shumica e masave të ndërmarra më herët përveç heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv, duke qenë që së fundi në këtë zonë kanë qenë vetëm katër komuna, si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19.

Pëkundër kësaj, kategorizimi i komunave do të vazhdoj të bëhet edhe më tej bazuar në numrin e rasteve pozitive në 100.000 banorë brenda një jave për të përcjellë ecurinë epidemiologjike sa i përket COVID-19.

Sa u përket testeve PCR për ata që hyjnë në Kosovë, kjo masë ka qenë e vendosur edhe më parë dhe nuk është e re, dhe ka vlejtur për të gjithë udhëtarët që vijnë në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë sipas klasifikimit të ECDC-së dhe bazuar në parimin e reciprocitetit.

Sa u përket institucioneve ekzekutive dhe atyre këshillëdhënëse, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë t’i trajtojë rekomandimet dhe çështjet që ngriten prej tyre, duke përcjellë me kujdes situatën epidemiologjike.

Ndryshimi apo përkeqësimi eventual i situatës do të përcillet me masa adekuate, pa përjshtuar edhe kthimin e kufizimeve, ndërkohë që qytetarët rekomandohen që të veprojnë sipas udhëzimeve të IKSHPK-së për t’u mbrojtur nga infeksioni COVID-19.