Vendimi i Listës Serbe për të ngrirë aktivitetin e tyre në kuadër të Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit ia ka pamundësuar në një farë forme qeverisë sigurimin e numrave të nevojshëm për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Vet qeveritarët thonë se ky vendim i kësaj liste nuk do të kontribuoje riprocedimit të këtij projektligji në Kuvend.
Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu thotë se qasja e re e Listës Serbe nuk është aspak e dobishme.
“Demarkacioni është i asaj rëndësie për Kosovën dhe qytetarët e saj sa që prolongimet e pajustifikueshëm shkojnë në dëm të interesave të vendit tonë dhe në dëm të një jete më të mirë për qytetarët tanë. Prandaj vazhdojmë të jemi të hapur dhe serioz me kërkesën tonë për ta biseduar me opozitën. Në anë tjetër qasja e re por aspak e dobishme e ‘Listës Serbe’ nuk i kontribuon pozitivisht asnjë procesi institucional në Kosovë, pra për rrjedhojë as edhe procesit të riprocedimit të demarkacionit”, ka thënë Abdullahu për Indeksonline.
Qeveria, sipas tij, fton të gjithë që të kenë qasje konstruktive, bashkëpunuese e jo përjashtuese dhe të ngurtë.
“Dialogu është premisë bazë mbi të cilën duhet të fokusohemi për forcimin dhe begatimin e mirëqenies tonë socio-ekonomike dhe mirëqenies politiko-juridike”, ka shtuar Abdullahu.
Kësisoj, qeveria e Kosovës duhet të synojë të arrijë një kompromis më partitë opozitare për çështjen e demarkacionit, pasi si koalicion qeveritar pa listën serbe e kanë të pamundur arritjen e 80 votave për ratifikimin e demarkacionin.