Qeveria e Kosovës ka përshëndetur publikimin e draft-raportit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, të publikuar sot nga Komisioni gjithëpërfshirës i ekspertëve, i kryesuar nga Akademik Hivzi Islami dhe i monitoruar nga përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së dhe KFOR-it, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.
“Qeveria e Kosovës ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.
Qeveria e Kosovës, vazhdon komunikata, respekton edhe mendimin ndryshe të disa anëtarëve të Komisionit, duke shpresuar se ky mendim reflekton vetëm këndvështrimin e institucionit që ata përfaqësojnë dhe fton të gjithë për një bashkëpunim të mëtejmë deri në përfundimin e plotë të punës së Komisionit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës fton edhe një herë të gjithë spektrin politik dhe qytetarët e interesuar që të bashkëpunojnë ngushtësisht me Komisionin deri në finalizimin e raportit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.
Krejt në fund të njoftimit thuhet se Qeveria e Kosovës vijon përkushtimin e saj që të punojë pareshtur në përmbylljen e procesit të demarkimit të kufirit me Malin e Zi, si kusht i vetëm i mbetur për t’i mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në vendet e BE-së, dhe fton të gjithë spektrin politik që t’i kontribuojnë arritjes së këtij synimi madhor për Kosovën dhe qytetarët e saj.