Qeveria izraelite voton njëzëri për largimin e Prokurores së Përgjithshme

Qeveria izraelite ka votuar njëzëri për tërheqjen e besimit ndaj Prokurores së Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, duke nisur procesin e shkarkimit të saj, transmeton Anadolu.

“Nuk ka asnjë mënyrë në të cilën mund të ekzistojë bashkëpunim efektiv midis prokurores së përgjithshme dhe qeverisë dhe nuk ka asnjë mënyrë për të rivendosur marrëdhënien e besimit që nuk ekziston më”, tha pas votimit ministri i Drejtësisë, Yariv Levin.

“Kjo situatë po dëmton seriozisht funksionimin e qeverisë dhe aftësinë e saj për të zbatuar politikat e saj”, shtoi ai.

Gjatë seancës së sotme të kabinetit, ministri i Kulturës dhe Sporteve, Miki Zohar, akuzoi prokuroren Baharav-Miara për armiqësi ndaj qeverisë.

“Të gjithë e shohim antagonizmin e prokurores së përgjithshme, sa herë që ne formojnë një qëndrim, ajo krijon një qëndrim kundërshtar”, tha Zohar në komentet e cituara nga gazeta ‘Israel Hayom’.

Sipas të përditshmes izraelite ‘Haaretz’, ministri i Drejtësisë në një mocion mosbesimi prej 86 faqesh, akuzoi se zyra e Prokurores së Përgjithshme është “shndërruar në një autoritet politik autokratik dhe agresiv”.

Pavarësisht votimit, qeveria duhet të sigurojë miratimin nga një komitet këshillues që rekomandoi emërimin e prokurores Baharav-Miara për të vazhduar me shkarkimin e saj.