Qeveria izraelite vazhdon shitjen e armëve Mianmarit

Shitja e armëve nga qeveria e Izraelit në Mianmar pavarësisht masakrave dhe persekutimeve të ushtrisë dhe budistëve fanatikë ndaj civilëve në këtë vend shkaktoi reagime, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kërkesën e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë së Izraelit, është kërkuar nga qeveria e Tel Aviv-it që të ndalojë shitjen e armëve në Mianmar.

Sipas lajmit të gazetës Haaretz, në gjykatën e cila sot është mbledhur për të diskutuar këtë çështje, avokati Shosh Shmueli, pjesëmarrës në emër të shtetit izraelit, tha se “Gjykata, nuk duhet të përzihet në punët e jashtme të Izraelit.”

Ndërsa nga qeveria izraelite nuk ka ardhur ndonjë deklaratë në lidhje me atë se do të ndalohet shitja e armëve.

Avokati i aktivistëve, Eitay Mack, kritikoi Izraelin për shitjen e armëve pavarësisht embargos së armëve të vendosur nga BE dhe SHBA ndaj Mianmarit.

Pritet që të jepet një vendim nga gjykata në lidhje me këtë çështje.

Ushtria e Mianmarit masakroi me mijëra civilë

Në sulmet e ushtrisë së Mianmarit të kryera në Arakan nën pretekstin e luftimeve me militantët e armatosur, mijëra muslimanë janë vrarë që nga 25 gushti. Për shkak të mos lejimit të hyrjes ose daljes nga zona, është e pamundur të përcaktohet bilanci i saktë i civilëve të vrarë.

Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit po përpiqen të arratisen nga zonat e sulmit në mënyrë që të shpëtojnë. Civilët që iknin nga Mianmari, duke kaluar në zonat malore, lumin Naf ose përmes detit përpiqen të arrijnë në Bangladesh. Që nga 25 gushti më shumë se 436 mijë muslimanë të Arakanit kanë kaluar në Bangladesh.

Në pamjet e marra nga satelitët nga organizatat e shoqërive civile, zbulohet se së paku 200 fshatra të muslimanëve në Arakan janë shkatërruar duke i vënë në zjarr. Por ka shqetësime se numri i fshatrave të djegur është më i madh nga ai i treguar.