Qeveria Izraelite ka vaksinuar 5 milionë banorë izraelit dhe asnjë palestinez

Palestinezët janë të shqetësuar në lidhje me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) pasi që Izraeli realizoi rreth 5 milionë vaksinime prej të cilëve 1,8 milion me dozën e dytë, kurse asnjë dozë të parë të vaksinës nuk ka arritur në tokat e okupuara dhe të bllokuara të Palestinës.

Edhe pse qeveria palestineze ka njoftuar se kanë biseduar me 4 kompani prodhuese të vaksinave për palestinezët që jetojnë në Bregun e okupuar Perëndimor dhe Rripin e Gazës së bllokuar, asnjë vaksinë e vetme nuk është sjellë ende në vend.

Shumë organizata ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Izraelit, i cili po vaksinon me shpejtësi shtetasit e tij, të sigurojë vaksina për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

Organizata “Amnesty International” (AI), duke ia kujtuar qeverisë izraelite Konventën e Gjenevës, i bëri thirrje për “shpërndarje të drejtë dhe të barabartë” të vaksinave të COVID-19 për rreth 5 milionë palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës. Organizata theksoi se përndryshe Tel Avivi do të llogaritet se ka shkelur nenet përkatëse të kësaj konvente.

Nga ana tjetër, Izraeli pretendoi se nuk është përgjegjës për sigurimin e vaksinës së COVID-19 për palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës dhe pretendoi se nuk kishte asnjë kërkesë nga qeveria palestineze në këtë drejtim.

Izraeli me një popullsi prej 9,3 milionë banorëve ka realizuar rreth 5 milionë vaksinime, prej të cilëve 1,8 milion me dozën e dytë, kurse në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës ku infrastruktura shëndetësore është e rrezikuar nuk është realizuar asnjë dozë e vetme të vaksinës.

Teksa palestinezët e akuzojnë Izraelin si fuqi okupatore përgjegjës për këtë situatë, poashtu edhe qeveria palestineze akuzohet në lidhje me çështjen.

“Izraeli duhet të sigurojë vaksina për popullin që e ka nën pushtim”

Palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor për Anadolu Agency (AA) shprehën shqetësimet e tyre rreth pandemisë dhe mos arritjes së vaksinës në vend.

Mohammed Armiti, një mësues 65-vjeçar në pension që jeton në Jenin, tha se Izraeli është përgjegjësi i parë për mos sigurimin e vaksinës.

“Ne jemi një popull nën pushtim. Është e vërtetë se Izraeli nuk e ndaloi vaksinën që t’u dorëzohet palestinezëve. Por si një shtet okupues Izraeli duhet të sigurojë vaksina për njerëzit që mban nën pushtim”, tha ai.

Duke theksuar se nuk ka asnjë dyshim për t’u vaksinuar ai shtoi, “Ka nga ata që dyshojnë nga vaksina, por unë jam gati t’i bindi të gjithë të afërmit dhe familjen time për t’u vaksinuar”, deklaroi Armiti.

Armiti gjithashtu theksoi se qeveria dhe autoritetet palestineze janë fajtorë në lidhje me vonimin e vaksinës.

“Inshallah sa më shpejtë mbërrin vaksina tek ne”

Abdeljalil Berk, një rrobaqepës 67-vjeçar nga Nablus, tha se, “Inshallah sa më shpejtë vaksina mbërrin tek ne dhe jeta kthehet në normalitet”.

Berk i bëri thirrje qeverisë palestineze “ta përshpejtojnë procesin e sigurimit së vaksinës.”

Duke theksuar se është i shqetësuar për numrin e rasteve dhe viktimave të përditshme, Berk tha se kjo situatë e kufizon lirinë e lëvizjes dhe vështirëson situatën ekonomike.

Frika nga përhapja e pandemisë në masat më të gjera

Mësuesja 38-vjeçare palestineze Fadiye Mesud shprehu shqetësimin se nëse vaksina vonohet, pandemia mund të përhapet në masa më të gjera.

Mesud tha se, “Shpresojmë që vaksina të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur. Pandemia po përhapet me shpejtësi dhe kam shqetësime, gjë që është normale”.

Duke u bërë thirrje autoriteteve palestineze të sigurojnë vaksinën sa më shpejt të jetë e mundur, Mesud tha se, “Nuk ka dyshim se problemi më i madh i popullit palestinez është pushtimi izraelit që parandalon gjithçka, duke përfshirë furnizimin e vaksinave, zhvillimin, trajtimin dhe gjëra të tjera”.

“Përgjegjës është edhe Palestina edhe shteti okupator i Izraelit”

Abbas Farhavi, 59-vjeçar, i cili ka një dyqan argjendi në Ramallah, tha se përgjegjës për vonesën e vaksinës është qeveria palestineze dhe Izraeli si shtet okupues.

“Ne nuk e dimë arsyen e saktë të vonesës, por ne duam që kjo vaksinë të vijë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shpëtojmë nga kjo pandemi. Por si Palestina ashtu edhe shteti okupues izraelit janë përgjegjës për vonesën e vaksinës”, u shpreh ai.

Qeveria palestineze në shkurt planifikon t’i marrë 10 mijë doza vaksinë nga Rusia

Ambasadori i Palestinës në Moskë, Abdulhafiz Nevfel, në një deklaratë për mediat ruse më 27 janar, deklaroi se vendi i tij në fazën e parë planifikon të blejë 100 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V kundër COVID-19.

Ai gjithashtu njoftoi se 10 mijë doza nga kjo vaksinë do të sigurohen falas nga Moska të cilat do të merren në muajin shkurt.

Ndërkaq, autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës theksuan se vazhdojnë ende përpjekjet për sigurimin e vaksinës por nuk mund të përcaktojnë një afat të caktuar në lidhje me datën e dorëzimit të vaksinës në publik ose procesin e vaksinimit.