Qeveria Hoti anuloi vendimet për kthimin e ambasadorëve, reagon ashpër Konjufca

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca përmes një postimi në FB ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Hoti për anulimin e vendimit për kthim të konsujve.

Ai ka thënë se vendimi i sotshë, është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vertet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes.

Ky është postimi i plotë:

Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar.

Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike.

Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%.

Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vertet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes.

Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA. Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme.

Zgjedhjet e reja demokratike do të vinë shumë shpejt sepse qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. Prandaj këto vendime kriminale të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet që janë afër.