Qeveria Haradinaj ende pa mbushur muajin e plotë po përballet me presion nga LDK-ja dhe VV-ja si parti opozitare.
Ato kanë kritikuar qeverinë që nuk ka program qeverisës, dhe janë shprehur të bindur se qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj nuk do të ketë jetë të gjatë.
Në seancën e Kuvendit ku u votua qeveria, pro kishin votuar 61 deputetë, pra qeveria u zgjodh me votat minimale në Kuvend, kjo pasi deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha në momentin e fundit kishte abstenuar.
Pikërisht, Berisha dje deklaroi se nëse LDK dhe VV i bëjnë 60 vota, ai do ta jap votën e 61-të për rrëzimin e Qeverisë, shkruan lajmi.net
Me inkuadrimin e Behgjet Pacollit në qeveri, aktualisht koalicioni PANA i ka vetëm 60 vota në Parlament, pasi Imet Rrahmani e zuri vendin e të parit të AKR-së.
Këto shifra dalin pa votën e Teuta Rugovës, që në seancën konstituive, e as në atë ku o votua qeveria nuk mori pjesë.
Nga grupi i AKR-së, ishte larguar edhe Korab Sejdiu i cili tani është deputet i pavarur.
Nëse bëhen disa llogari, del se “jeta” e qeverisë Haradinaj varet nga duart e një deputeti i koalicionit PAN+AKR.
Kjo pasi, Lëvizja Vetëvendosje i ka 32 deputetë në Kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës 26. Nëse llogaritet edhe Korab Sejdiu si i pavarur, dhe Zafir Berisha që u deklarua publikisht se do ta rrëzonte qeverinë, atëherë për rrëzimin e kësaj qeverie janë 60 deputetë.
Përkundër kësaj, Haradinaj dhe zyrtarët e kabinetit qeveritar janë shprehur të bindur se kjo qeveri do ta çojë mandatin deri në fund.
Lideri i AAK-së, qysh sot e pranoi se ka strese të shumta pasi gjendja në vend nuk është mirë.
Dy sfidat e para me të cilat po ballafaqohet janë me Nenad Rikalon që po akuzohet për maltretime në luftë dhe tema e Demarkacionit.
Ndryshe, qeveria Haradinaj sot votoi programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, pra 2017-2021.