Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e përkohshme të drejtorëve të ndërmarrjeve “Trepça” dhe “Posta e Kosovës”.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka bërë prezantimin e anëtarëve të bordeve të përkohshme, duke thënë se ata emërohen pas kalimit të afatit prej 6 muajsh të bordeve të përkohshme.
Në ndërmarrjen Trepça, drejtor i bordit është emëruar, Sylejman Hyseni, ndërkaq anëtarë, Shyqiri Sadiku, Esat Peci dhe anëtari i pestë vjen nga punëtorët.
Kurse te Posta e Kosovës drejtor i përkohshëm është emëruar, Leonard Shaban dhe anëtarë: Fadil Aliu, Evda Maloku dhe Ujkan Kameraj.
Pas këtyre ndërmarrjeve, edhe Infrakosi është bërë me bord të ri drejtues, ku drejtor është emëruar Brahim Selimaj kurse anëtarë: Sead Thaçi, Avni Kajdomqaj dhe Sanja Lazareviq.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për aprovimin e statuteve të Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”, atij të Gjakovës “Fehmi Agani”, të Mitrovicës “Isa Boletini” dhe Universitetit Publik te Shkencave të Aplikuara të Ferizajt.
Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim me të cilin ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Republikës së Kosovës nga të gjitha ministritë, agjencitë ekzekutive dhe njësitë tjera brenda sistemit ministror të Qeverisë së Republikës së Kosovës për te gjitha aktivitetet që ndërlidhen me hartimin, punimin apo diskutimin e dokumenteve qeveritare, përfshirë strategjitë, koncept-dokumentet, aktet normative, dokumentet planifikuese dhe dokumentet e ngjashme.
Në këtë mbledhje të qeverisë, është marrë vendimi për themelimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës.