Qeveria e Turqisë kurseu rreth 66,5 miliardë lira turke (9,5 miliardë dollarë) në vitin 2020, njoftoi ministri i Thesarit dhe Financave, Lütfi Elvan, duke iu referuar shifrave të bilancit të buxhetit të cilat tejkaluan objektivin e vitit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ne kurrë nuk do të bëjmë kompromis për disiplinën fiskale, përveç luftës kundër pandemisë COVID-19”, shkroi Elvan në Twitter.
Bilanci i buxhetit të qeverisë raportoi deficit prej 172,7 miliardë lira turke (24,7 miliardë dollarë) në vitin 2020, nën objektivin e 239,2 miliardë lirave turke (34 miliardë dollarë), theksoi ai, duke nënvizuar se politikat fiskale do të vazhdojnë të jenë në përputhje me politikat anti-inflacioniste.
“Jemi duke marrë masa të përhershme për të përmirësuar buxhetin e vitit 2021”, shkroi ai, duke treguar se synimi i qeverisë për deficitin e buxhetit të vitit 2021 është 3,5 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB).
Duke zbuluar shifrat e bilancit të buxhetit javën e kaluar, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan theksoi se nëse arrihet objektivi i rritjes për vitin 2020, raporti i deficitit buxhetor ndaj PBB-së do të arrijë 3,6 për qind, duke tejkaluar objektivin e programit afatmesëm.
“Politikat tona makroekonomike do të sigurojnë një kërkesë të ekuilibruar dhe rritje të qëndrueshme”, tha ministri turk i Financave.
Sipas programit të ri ekonomik të vendit të shpallur shtatorin e kaluar, qeveria priste të regjistronte raport prej 4,9 për qind të deficitit buxhetor ndaj produktit të brendshëm bruto në vitin 2020.
Në vitin 2020, kursi mesatar i dollarit amerikan kundrejt lirës turke ishte rreth 7.02.