Qeveria e Spanjës: Referendumi në Katalonjë është i pavlefshëm

Qeveria spanjolle, ka njoftuar se ka humbur plotësisht vlefshmërinë e tij referendumi për pavarësi në Katalonjë, kundër të cilit ndërhyri policia dhe xhandarmëria, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekipet e policisë kombëtare dhe xhandarmërisë spanjolle që zhvilluan operacione në disa qendra votimi në Katalonjë kanë nisur të largohen pasi kanë konfiskuar materialet, si kuti dhe fletët e votimit.

Është vërejtur se forcat e sigurisë kanë ndërhyrë ndaj mbështetësve të pavarësisë vetëm në rastet kur ka patur rezistencë të ashpër. Pavarësisht kësaj theksohet se ka patur një numër të konsiderueshëm të personave të plagosur nga ndërhyrjet e kryera në të gjithë Katalonjën.

Jordi Turull, zëdhënësi i Qeverisë Autonome të Katalonjës, ka folur pas ndërhyrjes ku ai është shprehur se do të numërohen si të vlefshme fletët e votimit që nuk janë brenda zarfeve dhe që janë shtypur nëpër shtëpi, në kuadër të ndryshimit të rregullave që kanë kryer. Duke vënë në dukje se katalanasit mund të votojnë në çdo shkollë pa vërejtur listat e regjistrave, Turull ka pretenduar se pavarësisht ndërhyrjes së forcave spanjolle të sigurisë ende 73 për qind e qendrave të votimit janë të hapura.

Por agjencia zyrtare spanjolle e lajmeve EFE në lajmin e bazuar në burimet e qeverisë ka bërë të ditur se tentativa për mbajtjen e referendumit të shpallur si i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese ka humbur plotësisht vlefshmërinë, me ndërhyrjen e policisë dhe xhandarmërisë, dhe se nuk ka asnjë vlefshmëri sistemi i ri i cili parashikon fletët e votimit të shtypura në shtëpi.

Ndërkohë kryetari i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili do të votonte tek pallati i sportit të bashkisë në rajonin Sant Julia de Ramis, në qytetin Girona, ka votuar një vend tjetër. Pas largimit të forcave të sigurisë Puigdemont ka vizituar edhe qendrën e votimit që ndodhet te pallati i sportit.