Qeveria e Kosovës planifikon plan për rimëkëmbje ekonomike me 6 miliardë euro

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të fillojë në shtator me zbatimin e planit afatshkurtër dhe atij afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike në kohën kur vendi dhe ekonomia po përballet me pasojat sociale dhe ekonomike si shkak i pandemisë nga koronavirusi i ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Hoti i cili sot në Qeverinë e Kosovës ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, u tha anëtarëve të këtij këshilli se në muajt dhe javët e ardhshme do të punojë bashkë me ta që të zbatohet në praktikë implementimi i pakos së rimëkëmbjes ekonomike përmes masave të ndryshme.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se sektori privat për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, do të ndihmohet në një periudhë prej pesë vjetësh me 6 miliardë euro, ndërsa strategjia për këto ndihma nga ana e Qeverisë do të kompletohet në shtator apo deri në tetor.

“Kohëzgjatja e kësaj pandemie nuk është se ka krijuar disa vështirësi afatshkurtra të likuiditetit të bizneseve por është e qartë që ka shkaktuar shkundje afatgjate të ekonomisë dhe bizneseve në sektorë të caktuar dhe ne tani duhet të kemi një qasje më afatgjate. Ajo çfarë nënkupton kjo për ne është një strategji zhvillimore 5 vjeçare e cila neve na mundëson që të mobilizojmë siç kemi mobilizuar këto fonde nga buxheti dhe kreditë që kemi marrë deri më tash (365 milionë euro) deri në fund të vitit 2021 të mbërrijmë ta rrumbullakojmë pakon afatshkurtër të rimëkëmbjes ekonomike me 1.2 miliard. Por, të fokusohemi në një plan së paku 5 vjeçar që shkon deri në 6 miliardë euro ndihmë për ekonominë”, tha Hoti.

Sipas tij, kjo ndihmë pritet të përfshijë ndihmën nga buxheti i shtetit, kredive shtetërore, garancive kreditore dhe mobilizim të mjeteve të donatorëve ku në rend të parë janë mjetet e Komisionit Evropian.

Shqetësimin për krizë në ndërmarrjet private në Kosovë e ka ngritur gjatë kësaj jave edhe Oda Ekonomike e Kosovës e cila tha se për t’u arritur sa më shpejtë një cikël i ri ekonomik që i hapë rrugë rimëkëmbjes ekonomike, është momenti që gjatë muajit shtator apo gjatë muajit tetor më së largu, pjesa më e madhe e mjeteve të Pakos së Rimëkëmbjes të futet në qarkullim.

Të premten në ditën e fundit të sesionit veror të Kuvendit të Kosovës, dështoi dy herë të votohet Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike për të cilën nevojiteshin 61 vota. Herën e parë ajo mori vetëm 43 vota ndërsa të dytën 45.