Qeveria e Kosovës miraton planin për fillimin e vitit të ri shkollor

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka aprovuar masterplanin e propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për realizimin dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 në kushte të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën për media pas mbledhjes, kryeministri i vendit Avdullah Hoti tha se pas një pune më shumë se njëmujore është miratuar masterplani për vitin shkollor 2020-2021, teksa ka thënë se aty përfshihen udhëzime të detajuara se si do të vazhdojë procesi mësimor.

“Ne jemi të vetëdijshëm që po marrim përsipër një rrezik për të hapur shkollat sipas procedurave që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë, prandaj kërkohet kujdes ekstrem i prindërve, i nxënësve, i arsimtarëve, i komunave, që të mos kthehen shkollat në vend ku përhapet virusi”, tha Hoti, i cili shtoi se autoritet e arsimit në vend kanë studiuar përvojat e shteteve të tjera për rihapjen e shkollave.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, tha se për rifillimin e mësimit në shkolla ministria që ai udhëheq ka marrë ndihmë financiare nga qeveria.

Megjithatë, Likaj tha se Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike i Kosovës (IKSHPK) u ka bërë të ditur atyre se është e pamundur të bëhen plane afatgjate për zhvillimin e procesit mësimor në gjendjen epidemiologjike.

Sipas Likajt, nxënësit duhet t’i respektojnë në mënyrë rigoroze kërkesat e IKSHPK-së për parandalimin e përhapjes së virusit.

“U aprovua një përkrahje për rreth 10 milionë eurosh të cilat u siguruan nga ana e qeverisë, përkatësisht fondi për rimëkëmbje ekonomike, dhe ju njoftoj se në kuadër të këtij masterplani është udhëzuesi i përgjithshëm, udhëzimet për realizimin e mësimit për secilin nivel të sistemit arsimor. Janë të ndërtuara protokollet, janë të paraqitura skenarët dhe janë të paraqitura edhe fazat se si do të fillojë viti i ri shkollor, si dhe përgjegjësitë e secilit institucion të përfshirë”, tha Likaj.

Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

“1. Organizimi i mësimit në shkolla (kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave); 2. Mësimi i kombinuar: në shkolla dhe mësimi në distancë (kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhimin e stafit ndihmës-rezervë, duke përfshirë mësues, punëtorë teknikë, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online); 3. Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

Vendimi i qeverisë që u votua sot parasheh që viti i ri shkollorë të fillojë në tri faza. Në fazën e parë (nga 1 shtator) fillon mësimi për parashkollorët, klasën 1, 2 dhe 3 pastaj dhe për klasën 6 dhe 10. Në fazën e dytë (nga 7 shtatori) fillon mësimi për klasat 4 dhe 5, si dhe në fazën e tretë (nga 10 shtatori) fillon mësimi për klasën 7, 8, 9 dhe 11,12.