Qeveria e Republikës së Kosovës ka pritur me të drejtë lirimin e plotë të kryetarit të AAK-së, ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga drejtësia franceze, duke pas parasysh fletarrestin plotësisht politik të lëshuar nga Serbia.
Prandaj, Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të z. Haradinaj e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, z. Haradinaj, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë.
Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i z. Haradinaj, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthim sa më të shpejtë të z. Haradinaj në Kosovë si dhe për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe.