Qeveria e Armenisë miraton projektligjin për fillim të procesit të anëtarësimit të vendit në BE

Qeveria armene miratoi një projektligj për të nisur procesin e aplikimit të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Duke folur në një takim të qeverisë në Jerevan, kryeqytetin e Armenisë, kryeministri Nikol Pashinyan tha se vendimi përfundimtar do të merret në një referendum kombëtar ndërsa dokumenti shërben si një bazë zyrtare për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“Kjo nuk do të thotë anëtarësimin e Armenisë në BE në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi një vendim për këtë çështje mund të merret vetëm me referendum. Por, duhet të theksojmë gjithashtu se para referendumit, ne duhet të ndërmarrim veprime të caktuara dhe të diskutojmë udhërrëfyesin me BE-në”, tha ai.

Pas miratimit nga ana e qeverisë, drafti do të kalojë për shqyrtim në parlament, ku pritet të zgjasë deri në fund të janarit.

Duke komentuar masën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se është “e drejta sovrane” e Armenisë të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në BE, megjithatë, ai shtoi se vendi nuk mund të jetë njëkohësisht anëtar i BE-së dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik (EEU), një organizatë rajonale ekonomike e udhëhequr dhe Rusia.

“Nëse flasim hipotetikisht, është thjesht e pamundur të jesh anëtar në dy organizata të ndryshme. Këtu ka një hapësirë ​​doganore, është një zonë e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, ka norma të tjera”, tha ai, i pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Armenia do të anëtarësohej në BE.

“Sigurisht, projekti i anëtarësimit në BE është e drejta sovrane (e Armenisë). Në të njëjtën kohë, ne e dimë me siguri se anëtarësimi në EEU është i dobishëm për Armeninë”, tha ai.