Godina e Qeverisë dhe ajo e Kuvendit të Kosovës janë ndriçuar me ngjyrë të portokalltë për të shënuar simbolikisht 25 Nëntorin – Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili mori pjesë me rastin e ndriçimit të godinës së qeverisë, tha se po merr pjesë në këtë ngjarje për të treguar përkushtimin e qeverisë për të rritur vetëdijen qytetare dhe për çrrënjosjen e fenomenit të dhunës ndaj grave.
“Besoj se është bërë punë bukur e madhe dhe gradualisht po vijmë në pikën e një vetëdijeje shumë më të lartë të qytetarëve kundër këtij fenomeni. Është obligim yni institucional dhe njerëzor që t’i vëmë në punë të gjithë mekanizmat e shtetit dhe shoqërisë për të mbrojtur gruan në shoqëri dhe për ta ndihmuar atë për t’u fuqizuar në shoqëri”, tha Hoti.
Sipas institucioneve të sigurisë në Kosovë, dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas kanë shënuar rritje në vitin 2020, kjo edhe për shkak të masave të miratuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit e cila ka ndikuar që familjet të qëndrojnë mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.
Sot në mëngjes në Qeverinë e Kosovës u hap fushata 16-ditore e aktivizimit global me moton “Financo, përgjigju, parandalo dhe mblidh të dhëna” për çrrënjosjen e dhunës ndaj gruas.
Në hapje mori pjesë edhe kryeministri Hoti, i cili tha se deri në fund të këtij viti, qeveria do t’i ndajë 2 milionë euro për gratë në biznes.
25 Nëntori si Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ndërsa shënohet që nga viti 1981.