Qervish me Pulë e Arra – Tradita e Sofrës Shqiptare

Është një nga gatimet më të hershme tradicionale, i përgatitur në mënyrë fantastike nga mjeshtëria e duarve të nënave dhe gjysheve shqiptare.

Por gjithashtu, është një nga gatimet më mbresëlënëse për çdo turist të huaj që e provon e që mahnitet nga shija e tij teksa përpiqet të marrë me vete recetën e përgatitjes.

Në shumë zona të Shqipërisë njihet si Qull me Arra, e në shumë zona të tjera si Qervish.

E megjithatë tradita mbetet e njëjtë, e po ashtu edhe shija unike e tij.

I përgatitur me përbërës të thjeshtë, të cilët lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje, Qulli me Arra apo Qervishi është një gatim special i cili kënaq shijen dhe oreksin teksa mbledh gjithë familjen rreth tryezës.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën autentike të përgatitjes së kësaj recete të shijshme dhe unike të traditës shqiptare.

Si ta Përgatisim këtë Gatim Special në Shtëpi

Përbërësit

1 pulë 1 kg ose kofsha pule 1 kg

100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë

15 lugë gjelle miell misri,

Piper i zi

Piper i kuq

Një kokërr qepë

Një lugë gjelle kripë

Një filxhan çaji me arra të shtypura

1.5 l lëng pule

Përgatitja:

Në një tigan kavërdisim me pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri qepën e grirë hollë.

Shtojmë dhe pulën ose kofshat e pulës dhe e kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.

E kthejmë pulën nga të dyja anët.

Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, piperin e zi dhe piperin e kuq.

I lëmë të zjejnë përreth një orë.

Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit, hedhim miellin e misrit dhe e kavërdisim për 15 minuta.

Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës dhe e përzjejme fortë dhe në mënyrë të pandërprerë që të mos krijohen kokërriza.

Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer më parë me një lugë vaj ulliri.

E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.

Sipas dëshirës, mund të shtrojmë tre petë byreku në tavë e më pas të hedhim sipër saj salcën e përgatitur.

Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.

Pasi e heqim nga furra i hedhim sipër arrat e shtypura dhe sipas preferencës mund t’i shtojmë edhe hudhra të shtypura.

Qulli me Arra shoqërohet mjaft mirë me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë, sallata të stinës etj. /Mesazhi/