Qerkini për gërmimet në Kizhevak: Shpresë për familjarët që mbase gjejnë një pjesë trupi

Kryetari i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, ka folur gërmimet që po bëhen në Kizhevak të Rashkës, Serbi, ku është gjetur varreza e pestë masive me mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.

Qerkini tha se të gjithë familjarët e personave të zhdukur kanë shpresë që qoftë një pjesë të trupit të të dashurve të tyre të gjejnë aty.

“Nuk ka familjarë që nuk e ka një shpresë që një pjesë e trupit e të zhdukurve gjendet në Kizhevak të Rashkës.Janë dashur 21 vjet që të gjithë akterët ndërkombëtar dhe ata që merren me çështjen e të pagjeturve të kuptojnë se pa imazhe satelitore Serbia nuk tregon se ku janë lënë më të dashurit tanë.Mjerisht neve familjarëve nuk na është lejuar që të shkojmë dhe të shohim vendin ku po bëhen gërmimet.Janë nxjerrë tre trupa teksa pritet që të jenë 15 trupa aty. Është gjynah të thuhet se mbetjet që janë gjetur janë të kësaj komune apo tjetrës, është e vërtetë që janë shqiptarë dhe sipas informacioneve që kemi është se janë ekzekutuar aty”, deklaroi Qerkini në KlanKosova.

Qerkini mes tjerash tha se gërmimet tani duhet të ndërprehen për shkak të kushteve atmosferike.

“Aty janë duke punuar ekipet e mjekësisë ligjore të cilët në këto kushte duhet të ndërprenë gërmimet pasi janë duke punuar në kushte shumë të rënda. Megjithëse gjithmonë Serbia e ka lënë në këto kohë dhe asnjëherë në kohë më të mirë atmosferike”, shtoi ai.