Qëndrimi politik

Njeriu duhet të jetojë një jetë me qëndrime. Ekzistenca ka kuptim veç me qëndrime. Në epokën e opsionaleve edhe mund të ndërtosh qëndrime duke zgjedhur një diversitet ideologjik por kjo krijon konfuzion dhe ankth nën trysninë e diktatit të imazhit dhe zgjedhjeve të shpeshta për t’iu “përshtatur” kohës, vendit dhe gjykimeve të të tjerëve, apo ndërgjegjes si imponim i jashtëm

Nga Latif MUSTAFA

Të rrallët jetojnë me qëndrime. Një shumicë vërdallisen brenda guaskës së përditshmërisë jetësore. Bëhet fjalë për qëndrime filozofike, urtësi dhe parime mbi të cilat njeriu e ndërton një qëndrim të caktuar. Çfarë është një qëndrim? Në aspektin etimologjik qëndrimi ka të bëjë me qendrën, pikën mbi të cilin vendoset një objekt dhe ndalon të së lëvizuri me qëllim që të vihet në qendër të gjithçkaje që lëvizë përreth. Në aspektin semantik dhe filozofik qëndrimi ka të bëjë me një mendim dhe sjellje të caktuar e cila bazohet mbi një parim të lartë etik dhe për të, meriton të jetohet ose në mungesë të realizimit edhe të shterohet jeta për të. Qëndrimi është vazhdimësi. Qëndrimi është e pandryshueshmja. Qëndrimi është identitet.

Qëndrimi nuk është vetëm mendim, por është sjellje e caktuar e individit, gjegjësisht veprim mbi të cilin konkretizohet identiteti bazuar mbi mendimin paraprak. Është një lloj ecejake kur mendimi e formëson veprimin dhe gjersa veprohet, veprimi e riformëson, zgjeron dhe hap mundësitë e reja të qëndrimit. Qëndrimi, shpesh, asocohet edhe me nocionin pikëpamje. Pikëpamja i përngjet kompasit. Njëra këmbë e tij, në saje të thumbit, ngulitet në një pikë kurse tjetra shëtitet duke krijuar rrathët koncentrik. Një këmbë në vend, një këmbë në botë. Këmba në vend të mëson se si duhet parë e dashur bota. Të kesh qëndrim do të thotë të kesh një botëvështrim, një botëkuptim për realitetin ose njëmendësinë. Qëndrimi është shkëputje. Është zhvendosje dhe distancim nga realiteti i përditshmërisë dhe lëvizjes me ç’rast mpirja dhe hëpërhëshmëria janë modus operandi. Zakonisht, kur përhumbemi në përditshmërinë e jetës, janë qëndrimet themelore të personaliteteve historike që kanë dhënë kontribut të skalitës në bindjet dhe mendimet njerëzore, ata të cilët na përkujtojnë se kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe ku mund të shkojmë.

Qysh nga kohërat antike, që kur kemi shënime për lëvizjet politike, puçet, revolucionet e deri tek lëvizjet e mëdha shoqërore bashkëkohore, shohim se gjithçka vërtitet rreth disa qëndrimeve, për të mos thënë dhe binomizuar midis dy qëndrimeve, bota duke qenë e zhytur nën proceset dhe ndryshimet e mëdha i shtyu shumë filozof dhe urtakë të mendojnë rreth asaj se në gjithë këtë ndryshueshmëri çfarë është e pandryshueshme. Një pyetje thelbësore filozofike që shtrohej nga Herakliti i “errët” e deri te Marksi në tezën e tij të 11 mbi Fojerbahun thotë se filozofët deri më sot e kanë shpjeguar botën, çështja është ta ndryshosh atë. Pa u zhytur në interpretimet mbi Marksin dhe tezën e tij të ndryshimit, vlen të përmendet se Marksi, jo për herë të parë në historinë e mendimit, por në rrethanat në të cilët jetonte dhe dinamikën e zhvillimit industrial në Europën e shekullit XIX, se ishte prodhimi ai që përcaktonte dhe vendoste një raport qeniesor me bindjet dhe artikulimet e tona. Nuk ishte ndërgjegjja ajo që prodhonte realitetin e jashtëm, por ndërgjegjja njerëzore ishte rrjedhim i realitetit. Sipas tij, më saktësisht, ishte jeta ajo që përcaktonte ndërgjegjen. Njashtu mendonte edhe Herakliti i cili kishte ndikim të madh mbi Hegelin, dhe Hegeli mbi Marksin. I pa ndryshueshëm ishte veç ndryshimi. Ndryshimi dhe rryma e krijuar nga rrethanat sociale të ndryshimeve të mëdha dhe këto rrethana i krijon prodhimi, zgjerimi dhe zhvillimi enorm nën siglën e progresit dhe përparimit. I ngufatur nga këto rrethana individi meditues zhvendoset jashtë dinamikës së aktualitetit dhe fillon të kundrojë rreth rrymave dhe rrjedhshmërisë që kanë kapur duart tona dhe na shpiejnë drejt llumit të përqendruar. Vrojtimi i tillë shtyhet nga një gjykim etik, për të vazhduar me një mendim të strukturuar dhe përfundon me artikulim të saktë dhe të drejtë. Artikulimi është produkt i gjykimit fillestar etik, mbi të cilin ndërtohet çdo qëndrim kurse mendimi është ngrehina e tij apologjetike. Rrjedhimisht, njeriu i cili refuzon një realitet të tillë, fillon të mendoj, të protestoj dhe në fund mbase edhe të revoltohet e rebelohet.
Revolta nga një meditim i tillë vjen nga një interpretim që tashmë ai ka për botën. Në kuptimin Makrsist, ai do ta kuptonte se ka një klasë sunduese ashtu siç pretederminon prodhimin tonë ajo i paraprinë edhe bindjeve tona në saje të një manipulimi të madh shoqëror. Me një fjalë çdo individ meditues do ta kuptonte se botëkuptimi mbi ekzistencën ka të bëjë me fenomenet sociale dhe politike. Ndërgjegjja jonë është një shtyse e jashtme, rrjedhim imagjinate përmbajtësore nga copëzat e realitetit të cilat përfshihen në ca detaje dhe labirinte të nostalgjisë për të kaluarën e “bukur” dhe të ardhmen e ankthshme. Botëkuptimet tona janë të lidhura dhe produkt i realitetit mbizotërues. Nënpyetja e pyetjes “pse ekzistoj” është “si duhet të ekzistoj”, gjë që e kuptimëson edhe pyetjen në vetvete. Në rrethanat tona, pyetja që kërkon përgjigje është: “Ndërgjegjja jonë a është produkt i status quo –së politike?

Rravgimet e tilla të shpien në një përfundim shumë esencial. Ontologjia është politike. Pyetja për ekzistencën është pyetje për politikën. Për të pasur një qëndrim mbi botën dhe universin pashmangshmërisht të shpie në një qëndrim rreth politikës dhe fenomenales, apo gjithçka që lëviz rreth teje. Qëndrimi politik është rrjedhshmëri e një qëndrimi filozofik për botën. Qëndrimi politik është një strukturim ideor i ndërtuar mbi një gurë themelor filozofik përmes të cilës, përtej shpalosjes së një kritike për rendin aktual, ajo shpërfaq edhe përgjigjen, opsionin intelektual për organizimin e përgjithshëm social. Qëndrimi politik është gjykimi etik mbi realitetin, mendimi si konkluzion i premisave të drejta dhe veprimi si konkretizim i saj.

Qëndrimet politike shpesh shndërrohen edhe në besime dhe bindje të errëta duke u harruar se bota lëvizë me të vërteta të përkohshme dhe si të tillë edhe qëndrimet politike, përfshi edhe dinamikën shoqërore në të cilën përfshihen dhe janë të ndikuara, janë relative dhe nuk përfaqësojnë ndonjë vërtetësi me përmasa metafizike. Kur bëhen të tilla ato rrëshqasin nga qëndrime politike në qëndrime ideologjike me ç’rast e vërteta e individit apo e subjektit politik imponohet të jetë edhe e vërtetë për botën. Qëndrimet politike, nëse nuk janë të transformueshme nga idetë bazë, në saje të zhvillimeve të mëdha teknologjike dhe prurjet që bëjnë ato në fenomenet sociale, ato mund të jenë të mbindërtueshme, të rishikueshme por pa u lëkundur në parimet universale që janë të vlefshme për gjithë secilin.

Qëndrimet politike shpesh ngatërrohen dhe tjetërsohen kur ato bëhen qëndrime partiake. Partia është instrument përmes të cilit fitohet dhe mbahet pushteti. Vetë etimologjia e saj, nga latinishtja partitus nënkupton copëz, diçka e ndarë në copëz. Qëndrimet politike që janë rrjedhshmëri e një qëndrimi më universal filozofik, me rastin e partizimit të tyre, gjegjësisht, tendencës për t’u akomoduar dhe artikuluar brenda një interesi partiak me qëllim pushteti, ajo parcializohet, partikularizohet dhe si e tillë, e humb dimensionalitetin e saj universal. Brenda këtij partikularizmi kur ndërfutet edhe yshtja dhe benefitet e pushtetit që brenda vetes është një lloj gllabëruesi i dijeve dhe bindjeve njerëzore, ky qëndrim që fillimisht ishte filozofik, më pastaj politik dhe partiak i partikualrizuar rrezikon të shndërrohet në një dije dhe retorikë instrumentale për marrje dhe ruajtje pushteti. Pushteti, në demokracitë parlamentare që udhëhiqen nga koalicione partish, gjegjësisht, udhëhiqet nga bashkime copëzash partikulash të pikturave të mëdha programore dhe ideologjike, qëndrimi politik merr kuptimin e një miratimi të ndërsjellë të qëndrimeve. Koalicionet janë miratime partikularitetesh dhe reprezentim të qytetarëve me bindje të përafërta.

Njeriu duhet të jetojë një jetë me qëndrime. Ekzistenca ka kuptim veç me qëndrime. Në epokën e opsionaleve edhe mund të ndërtosh qëndrime duke zgjedhur një diversitet ideologjik por kjo krijon konfuzion dhe ankth nën trysninë e diktatit të imazhit dhe zgjedhjeve të shpeshta për t’iu “përshtatur” kohës, vendit dhe gjykimeve të të tjerëve, apo ndërgjegjes si imponim i jashtëm. Çdo artikulim i cili shpie në qëndrimin ontologjik se njeriu gëzon siguri dhe në saje të kësaj sigurie frymon dhe i mundëson tjetrit të frymojë, të mendojë dhe të shprehet lirshëm, është qëndrimi më universal që duhet përnbrendësuar çdo subjekt njerëzor dhe politik. /koha.mk

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *