Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Qen të ushqyer nga trupat e pajetë në Gaza – Shefi i...

Qen të ushqyer nga trupat e pajetë në Gaza – Shefi i OKB-së i tronditur nga ajo që pa

Tom Fletcher

Shefi i zyrës së çështjeve humanitare të OKB-së, Tom Fletcher, ka shprehur tronditjen e tij të thellë pas vizitës në Rripin e Gazës, duke përshkruar një situatë katastrofike dhe një shkatërrim të papërshkrueshëm, raporton Aljazeera.

“Ishte shumë, shumë më keq nga sa e kisha parashikuar dhe vërtet isha përgatitur për më të keqen”, tha ai për gazetarët.

Sipas Fletcher, veriu i Gazës është shkatërruar në një shkallë edhe më të madhe se jugu. Ai tregoi se banorët dhe stafi i tij po përpiqeshin të gjenin rrugën për t’u kthyer në shtëpitë e tyre përmes GPS-it, pasi asnjë orientim vizual nuk ishte më i mundur.

“Nuk mund të dalloje nëse ishte një shkollë, një spital apo një shtëpi. Gjithçka ishte rrënojë,” tha ai.

Një nga pamjet më tronditëse për të ishte prania e qenve në rrënoja. “Një nga gjërat e para që pashë kur po udhëtonim ishin qentë që gërmonin mes rrënojave. Pyeta kolegun tim: Pse janë kaq të shëndoshë qentë? Ai më tha: Sepse po ushqehen me trupat e pajetë. Pastaj e vëren që njerëzit janë të dobët dhe e kupton se kjo vazhdon për kilometra të tërë,” tha Fletcher.

Përveç shkatërrimit të infrastrukturës, Gaza po përballet me një krizë të rëndë humanitare. Fletcher paralajmëroi se furnizimet me ndihma po shterojnë me një ritëm alarmant dhe kërkoi nga Izraeli që të heqë bllokadën ndaj territorit.

“Fakti që nuk po lejohet futja e karburantit do të thotë që inkubatorët po ndalojnë së funksionuari,” shtoi ai, duke theksuar se mungesa e ndihmave po rrezikon jetën e mijëra civilëve, përfshirë foshnjat dhe të sëmurët në spitale.

Gjendja humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet, ndërsa organizatat ndërkombëtare bëjnë thirrje për një armëpushim urgjent dhe një qasje më të gjerë ndaj ndihmave për popullsinë e rrezikuar. /mesazhi

Exit mobile version