Ish-kryeministri japonez, Abe Shinzo u qëllua me armë zjarri ku u plagos rëndë gjatë një aktiviteti ku ai mori pjesë në qytetin Nara, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abe u qëllua në gjoks gjatë një fjalimi në një aktivitet në ambient të hapur përballë stacionit Yamato-Saidaiji në qytetin Nara në mbështetje të fushatës zgjedhore të kandidatit të Partisë Liberale Demokratike të qytetit, njoftoi Televizioni Publik Japonez NHK.
Ish-kryeministri i mbuluar në gjak pas dy të shtënave me armë është dërguar në spital.
41-vjeçari Yamagami Tetsuya, i cili dyshohet se ka kryer sulmin dhe që thuhet se ishte ish-anëtar i Forcave të Vetëmbrojtjes Detare, u kap para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu thuhet se Abe, i cili u dërgua në një spital në rajon me lëndime të rënda, nuk kishte shenja të jetës.
Abe i plagosur rëndë u dërgua me helikopter në spital
Në pamjet e sulmit në mediat japoneze dhe mediat sociale, shihet se civilët e zonës kishin frikë nga zhurma në momentin e shpërthimit të armës ndërsa në pamje shihej edhe tym.
Në një tjetër pamje, Abe shihet i shtrirë në tokë i mbuluar me gjak. Më pas shihet se si i plagosur rëndë dërgohet me helikopter në spital.
Abe, i cili shërbeu si kryeministër i Japonisë në periudhën 2012-2020, u bë kryeministri më jetëgjatë i vendit. Abe u largua nga posti dy vjet më parë për arsye shëndetësore.