Ballina Autorë Opinione Qëllimi primar i fesë është të kontrollosh veten, jo të tjerët!

Qëllimi primar i fesë është të kontrollosh veten, jo të tjerët!

Halil Avdulli

Zakonisht njerëzit ndjehen mirë kur kritikojnë dhe monitorojnë gabimet e të tjerëve, veçmas kur ato i vënë në mikroskop, pavarësisht a bëhet fjalë për individ, kompani, grupe apo shoqëri.
Por si qëndrojmë me gabimet tona, është një pyetje tjetër e sikletshme?! A është e lehte për njeriun të merret me shpirtin e tij si realitet objektiv siç merret me një fenomen fizik apo biologjik!!..

 

Nga Hoxhë Halil Avdulli

Njerëzit ndjehen të shfajësuar kur flasin dhe numërojnë gabimet e të tjerëve, madje gjejnë njëfarë lloj kënaqësie në këtë, ndërkohë që janë të turpëruar nga çdo kritikë ndaj vetvetes, dhe kjo në një formë është mekanizëm psikologjik i pavetëdijshëm për të treguar epërsinë dhe shenjtërinë e vetvetes.

Nënvlerësimi i të tjerëve dhe nënçmimi i virtyteve të tyre është tregues i ndjenjës së inferioritetit dhe mangësisë. Ai që preokupohet me vëzhgimin e gabimeve të njerëzve, përpiqet t’i fshehë të metat e tij duke shfaqur të metat e të tjerëve, ndërsa ai që ndjen veten e tij të mbushur shpirtërisht dhe intelektualisht, nuk ka pse të dëmtojë askënd për të arritur veten, ai tashmë e ka realizuar veten e tij.
Të qenit i preokupuar me të metat e të tjerëve dhe neglizhimi i të metave tona sjell pasoja katastrofale, sepse ajo që përcakton fatin e njeriut në këtë botë dhe ahiret janë veprimet e tij, jo veprimet e të tjerëve.

Qasja e Kur’anit fokusohet në të metat e brendshme të njeriut dhe jo në ato të jashtme. Ne nuk kemi fuqi të korrigjojmë gabimet e të tjerëve por kemi fuqi t‘i korrigjojmë tonat. Prandaj drejtimi praktik në Kur’an shprehet duke na sugjeruar për tu shqetësuar mbi atë që mund të kemi ndikim, dhe jo mbi atë që ne nuk mund të ndryshojmë. „O ju që keni besuar, nuk mund të ju dëmtojnë ata që devijuan, nëse ju qëndroni të udhëzuar.” Sigurisht, në kuptimin pozitiv, jo në kuptimin e izolimit nga njerëzit.

Shokët e Muhamedit alejhi selam u çuditën për fatkeqësinë që ju ndodhi gjatë betejës së Uhudit, kështu që Kurani u shpall me një trajtim të shpejtë që i paralajmëroi ata e pas tyre edhe neve, për fushën e defektit themelor: “Thuaj ajo që ndodhi ishte nga ju”, në kaptinën Shúra ju tha: „Ajo ishte rezultat i punës së duarve tuaja“. Zoti na orienton kah tregimi i Junusit a.s., i cili nuk fajësoi shkaqet jashtme por e qortoj nefsin e tij duke thënë: “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, Lavdi të takon Ty, unë isha nga keqbërësit.”
Para tij, babai ynë Ademi, e konsideroi veten përgjegjës për atë që ndodhi( tregimi i pemës) dhe nuk ia la gjithë fajin shejtanit, siç e bëjmë në shpesh, “O Zoti ynë, ne i kemi bërë padrejtësi vetes, e nëse nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne do të jemi prej të humburve.”

Ademi, alejhi selam, ka mundur ta bëjë përgjegjës shejtanin se ai i bëri cytje dhe e mashtroj, por hedhja e përgjegjësisë tek shejtani, na çliron përkohësisht nga përgjegjësia, por nuk na e zgjidh problemin, sepse kushdo që beson se shejtani – ose ndonjë faktor tjetër i jashtëm – se ai është shkaku i problemeve të tij nuk do të mendojë për korrigjimin e rrjedhës së jetës së tij dhe rishikimin e veprimeve të tij.
Ndryshe nga Kurani që thekson seriozitetin e faktorit të brendshëm, duke vënë në pah kufizimin e aftësisë së faktorit të jashtëm për të na dëmtuar kur fronti i brendshëm është solid dhe koherent.

Është e vërtetë që ekzistojnë faktor të jashtëm me ndikim dhe është e vërtetë që dinakëria e armiqve tanë është e madhe, por forcimi i frontit të brendshëm dhe zgjimi i mekanizmave të rishikimit dhe korrigjimit do të na mundësojë të kapërcejmë këto sfida të vështira të jashtme: “Asgjë nuk do t’ju dëmtojë nga intrigat e tyre”, “Dinakëria e keqe nuk i bie askujt veçse atyre që e bënë vet”, “Kjo për shkak se Zoti ua dobësoi komplotet jobesimtarëve”, “Dhe Zoti nuk do t’u hapë rrugë jobesimtarëve kundër besimtarëve”, “Dhe nëse jeni të durueshëm dhe të devotshëm, komploti i tyre nuk do t’ju dëmtojë fare”, madje edhe shejtani. Në vetvete, aftësia e tij për të na dëmtuar është e kufizuar kur ne forcohemi: “Intriga e shejtanit është e dobët”, “Shejtani nuk ka asnjë autoritet mbi ta, përveç atyre që të pasojnë nga devijuesit”.
Të gjitha gabimet e të tjerëve, keqdashja dhe dinakëria e tyre nuk ndikojnë në përcaktimin e fatit tonë, por ajo që i fut njerëzit në zjarr në këtë botë dhe në ahiret janë gabimet e tyre dhe asgjë tjetër veç gabimeve te tyre.
Përqendrimi dhe përpjekja intelektuale në drejtim të vetëmiratimit dhe vetëpëlqimit qoftë në nivel individual, partiak, kombëtar apo sektar, dhe shejtanizimi i tjetrit pengon rolin reformues që na është besuar, sepse misioni reformues kërkon vëmendje ndaj vetvetes dhe rishikim dhe korrigjim të vazhdueshëm.

Exit mobile version