Ballina Autorë Opinione Që të ndjesh përgjegjësi morale, duhet të kesh moral

Që të ndjesh përgjegjësi morale, duhet të kesh moral

Nga Kim Mehmeti

Duke qenë BDI-ja në qeveri, shqiptarëve të Maqedonisë – dhe jo vetëm atyre – u kanë ndodhur shumë tragjedi, por kurrë nuk ka ndodhur që ndonjë funksionar i kësaj partia, së paku të thotë: ndjehem i turpëruar nga ajo që ka ndodhur, andaj ndjejë përgjegjësi morale dhe do japë dorëheqje.
Ndërkohë, shumë politikanë maqedonas, kanë dhënë dorëheqje apo janë përballur me përgjegjësi ligjore dhe dergjen nëpër burgje.
Dhe e dini pse drejtuesit dhe funksionarët e BDI-së janë të paprekshëm dhe të mbrojtur nga qarqet politike e policore maqedonase? Sepse të atillë siç janë, pra duke qenë shumica e tyre hajdutë, të korruptuar e të shantazhueshëm, u bënë vlerë më ‘shtetformuese’ dhe më e përdorshme për partitë maqedonase në qeveri.
Maqedonisë i ndodhi ‘Sopoti’, ‘Monstra’, Rasti i Kumanovës…., dhe së fundmi tragjedia e spitalit të Tetovës, por drejtuesit dhe funksionarët e BDI-së gjithmonë e përdorën të njëjtën strategji për ta shmangur përgjegjësinë morale e ligjore: kërkuan nga institucionet që këto raste të zbardhen sa më shpejtë, edhe atë me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, e që pastaj zbardhja të zgjatë me vite, përderisa ato t’i mbulojë terri i harresës.
Po pra, kalendari i shqiptarëve të Maqedonisë është përplot me ditë zie, por drejtuesve dhe funksionarëve të BDI-së asnjëherë nuk u shkoi ndërmend se përpos përgjegjësisë ligjore ekziston edhe përgjegjësia morale. Andaj ata kurrë nuk u dënuan për asgjë dhe asnjëherë nuk i brejti ndërgjegjja dhe nuk ndjenë përgjegjësi morale.
E të ndesh përgjegjësi morale, duhet të kesh moral. Ndërkaq morali është i çmuar dhe i shtrenjtë dhe, atë nuk mund ta ketë çdokush. Posaçërisht jo drejtuesit e BDI-së dhe aq më pakë kryetarët e komunave dhe funksionarët e saj, ata që i kriminalizuan, që i shpopulluan dhe që komunat shqiptare i shndërruan në depo për plehra dhe mbeturina.

Exit mobile version