Qatar Airways padit bllokun e udhëhequr nga Saudia për bllokadën

Kompania kombëtare e Katarit ka dorëzuar katër kërkesa ndërkombëtare të arbitrazhit, ku kërkon kompensim prej pesë miliard dollarë për shkak të bllokadës ajrore të vendosur që nga viti 2017 nga vendet e udhëhequra nga Arabia Saudite ndaj Katarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi nga shtetet bllokuese për të parandaluar që Qatar Airways të veprojë në vendet e tyre dhe të fluturojë mbi hapësirën e tyre ajrore është një shkelje e qartë e konventave të aviacionit civil dhe disa marrëveshje detyruese të cilat edhe vet i kanë nënshkruar”, tha në një deklaratë Akbar al-Baker, drejtori ekzekutiv i Qatar Airways.

“Pas më shumë se tre vjet përpjekjesh për të zgjidhur krizën në mënyrë miqësore përmes dialogut, që nuk dhanë rezultate, ne kemi marrë vendimin të lëshojmë kërkesa të arbitrazhit dhe të ndjekim të gjitha mjetet juridike për të mbrojtur të drejtat tona dhe për të siguruar kompensim të plotë për shkeljet”, tha al-Baker.

Kompania kërkon kompensim prej të paktën 5 miliardë dollarë nga të katër vendet për mbylljen e hapësirave të tyre ajrore për kompaninë ajrore kombëtare.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke vendosur bllokadë tokësore, detare dhe ajrore në vitin 2017.

Të katër shtetet akuzojnë Doha-n për mbështetje të grupeve terroriste, një akuzë e cila zëshëm mohohet nga Katari dhe e cila e përshkruan embargon e udhëhequr nga sauditët si shkelje të ligjeve ndërkombëtare.