Qasja e ndihmave humanitare në Ga’zë në pikë kritike, sipas OKB-së

Dërgimi i ndihmave humanitare në Gaza është në pikën më të ulët, ka thënë një zyrtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Deklarata e tij bie ndesh me atë të SHBA-së në fillim të javës e cila tha se Izraeli nuk po i pengonte ndihmat humanitare në Rripin e Gazës. Izraeli nga ana tjetër ka thënë se po punon për të ndihmuar në qasje më të lehtë të ndihmave humanitare.

“Qasja është në një pikë shumë të ulët. Kaosi, vuajtja, dëshpërimi, vdekjet, shkatërrimi, zhvendosjet janë në një pikë të lartë”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Laerke ka ngritur shqetësimin për veriun e Gazës ku banorët janë urdhëruar të shkojnë në jug ndërsa inkursioni i forcave izraelite po vazhdon prej një muaji në atë pjesë. Izraeli ka thënë se operacionet e tij janë të dizajnuara për të parandaluar rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën në veri të Gazës, e cila aktualisht është nën rrethim dhe është gati e pamundshme të dërgohen ndihma atje”, ka theksuar ai.