Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar sa ankesa janë parashtruar gjatë procesit zgjedhor të 11 qershorit.
Kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku ka thënë se deri në këtë fazë në PZAP janë dorëzuar 354 ankesa dhe apele, shkruan arbresh.info.
“Ankesa e dorëzuara janë si në vijim: para fushatë janë 20 ankesa, lidhur me fushatën janë dorëzuar 182 ankesa, me heshtjen zgjedhore 81 ndërkaq në ditën e votimit janë dorëzuar 61 ankesa”, ka thënë Desku.
Sipas tij, natyra e ankesave ka të bëjë me vendosjen e posterëve, blerje e votës, largim nga lista e kandidatëve për deputetë, gabime në të numëruar, asistim për votim, çrregullim i tubimeve, fotografim i votës, presion tek votuesit, kërcënime etj.
Subjektet që kanë paraqitur më së shumti ankesa janë Instituti i Kosovës për Demokraci, Demokracia Plus, koalicionet LDK-AKR-Alternativa, PDK-AAK-NISMA, Lëvizja Vetëvendosje etj.
Ndërkaq, ankesat janë bërë në drejtim të koalicioneve PDK-AAK-NISMA e LDK-AKR-Alterntiva, Lëvizja Vetëvendosje, KQZ-ja, disa parti të komuniteteve dhe mediumit Klan Kosova.
PZAP ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike për shkak se kanë thyer kodin e mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, në shumë prej 352 mijë e 400 euro.
Gjobat janë si në vijim:
PDK-AAK-NISMA është gjobitur me 157 mijë e 700 euro
LDK-AKR-Alternativa është gjobitur me 71 mijë e 700 euro dhe
Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 66 mijë euro
Andan Konushefci, anëtar në PZAP tha se vlera e gjobave të shqiptuara këtë vit është dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2014 ku ishin dhënë gjoba në vlerë të përgjithshme prej 68 mijë euro.
Sa i përket ditës së zgjedhjeve ai tha se janë pranuar 7 ankesa të cilat janë refuzuar në mungesë të provave.
Ndërkaq sa i përket rasteve të dorëzuara në Prokurori derisa në zgjedhjet e vitit 2014 ka pasur 45 raste, në zgjedhjet e sivjetme është dorëzuar vetëm një.